Situata nga COVID-19 në Shqipëri, Rakacolli: Nuk ka më raste infektimi pas marrjes së vaksinës!

2 Shkurt 2021, 19:42

Sot morën dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit të gjithë ata që u vaksinuan më 11 janar, një proces i cili do të vijojë krahas atyre që marrin dozën për herë të parë. Zëvendësministrja e Shëndetësisë njëkohësisht dhe kryetarja e Komitetit Teknik të Shëndetësisë, Mira Rakacolli thotë se nuk ka pasur asnjë efekt anësor të vaksinave tek mjekët.

Në një intervistë në Report Tv, ajo u shpreh se nuk ka pasur asnjë rast tjetër të infektimit pas marrjes së dozës së parë të vaksinës njësoj si mjeku Pëllumb Pipero. Ajo u shpreh se me mbërritjen e dozave të tjera brenda shkurtit do të bëhet i mundur vaksinimi i personelit shëndetësor.

"Janë vaksinuar 700 mjekë e infermierë ku fatmirësisht nuk është vënë re asnjë efekt anësor. Nuk kemi asnjë tjetër të infektuar përveç Pëllumb Piperos pas marrjes së dozës së parë të vaksinës. Rekomandohet që dhe pas dozës së parë, duhet të jetë njësoj mbrojtja ndaj virusit. Nuk përjashtohet as riinfektimi pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës. Nuk do të thotë se vaksina ka efekt. Ka një pjesë të vogël njerëzish që nuk krijojnë mbrojtje ndaj virusit. Nuk është fenomen i papranuar. Fatmirësisht mbrëmë arriti dërgesa e parë e Pfizer, është pjesë e kontratës prej 500 mijë dozash. Do të jetë në funksion të atyre që kanë bërë dozën e parë si dhe do vaksinohen mjekët e tjerë sipas kalendarit të vaksinimit. Duke parë rrezikun e secilës pjesë, është përpiluar kalendari i vaksinimit. Në mes të shkurtit do të vijnë dozat e tjera. 10 mijë e më pas 30 mijë doza të tjera. Do mbarojë vaksinimi i personelit shëndetësor dhe më pas do të vijojë tek shtëpitë e të moshuarve. Një nga sukseset e menaxhimit të situatës së COVID-19 është se nuk kemi pasur vatër në shtëpitë e të moshuarve. Personeli shëndetësor që ka shërbyer deri më tani, ata qëndrojnë në shtëpitë e të moshuarve" - tha Rakacolli.

Lidhur me hapjen e qendrave të tjera të vaksinimit, Rakacolli u shpreh se ato janë të gatshme dhe me ardhjen e dozave të tjera do të hapen në Shkodër dhe në Vlorë. Ndërsa kohëzgjatja e procesit të vaksinimit varet nga sasia dhe shpejtësia e ardhjes së dozave në Shqipëri nga kompania Pfizer.