Situata në Shkodër vijon të jetë e vështirë, ndërkohë që Forcat e Armatosura, kanë dërguar në Dajç dhe në Obot 50 efektivë të ushtrisë. Vetëm sot janë evakuuar 20 banorë si dhe janë transportuar 31 banorë dhe 65 krerë bagëti.
Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 80 ha. Kampi i romëve pranë Prokurorisë Shkodër është i përmbytur. Bashkia Shkodër ka zhvendosur fëmijët në Qendrën Komunitare Nr 4. Ndërkohë në bashkëpunim me Forcat e Ushtrisë, me dy kamionë është bërë evakuimi i të rriturve në strehimin përkatës në Bërdicë.
Me ndihmën e Forcave të Ushtrisë po merren masa për forcimin e argjinaturave. Nga DRMSH janë dërguar rreth 5000 thasë me rërë të cilët po përdoren për forcimin e argjinaturave.
Në njësinë administrative Dajç janë mbi 940 ha tokë e përmbytur. Në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 28 familje, në fshatin Mushan 4 familje dhe në fshatin Darragjat 4 familje. Në 3 banesa ka prezencë uji.
Është kërkuar të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit dhe është bërë ndërhyrje e përforcimit me thasë më rërë.
Në njësinë administrative Ana Malit janë mbi 1200 ha tokë të përmbytura. Në Obot kalohet vetëm me varka. Rrugët e fshatit Goricë janë të pa kalueshme për automjetet. Në 3 banesa në Obot, 7 banesa në Muriqan dhe 4 banesa në lagjen Gallube ka prezencë uji.
