Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin e Kushtetueses, Gani Dizdarin, duke e larguar nga sistemi i drejtësisë. I fundit i Kushtetueses u dogj për shkak të pasurisë dhe kontakteve me të inkriminuar. Trupa e KPK përbëhej nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Olsi Komici. Gjyqtari s'ka qenë vetë i pranishëm në seancë, por është përfaqësuar nga avokati Sokol Hazizaj.
Me shkarkimin e Dizdarit, mbyllet kështu procesi i Vettingut për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë është në kolaps pasi vetëm dy anëtarë kaluan Vettingun. Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha kaluan me sukses Vettingun, ndërsa janë larguar nga Vettingu ish-anëtarët e Kushtetueses Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxhaj. Me largimin e Gani Dizdarit, shkon në katër numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që 'firojnë' nga sistemi i drejtësisë.
Pasuria dhe kontaktet me të inkriminuar djegin gjyqtarin
Sipas KPK, gjyqtari nuk justifikon pasurinë, ndërsa janë gjetur të dhëna edhe për lidhje të tij me botën e krimit. Dizdari ka deklaruar apartament banimi me sipërfaqje 95.7m2, duke deklaruar si burim privatizimin e një banese shtetërore, blerë në 1994 për të cilin sipas KPK-së nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare.
Më tej gjykatësi deklaron një apartament banimi në Gjirin e Lalzit me sipërfaqje 86 m2 e blerë në 2013 me vlerën 3 milionë e 300 mijë lekëve dhe një tokë are në Mjull/ Bathore e blerë në 2009. Deklarimi i kësaj pasurie përputhet dhe me përgjigjet e ardhura nga institucionet shtetërore. Ai deklaron edhe një apartament të blerë në 1998 nga ish-bashkeshortja, për të cilin s’ka patur burime. Dizdari gjithashtu figuron se ka 4 llogari bankare.
