S’ka gjyqtarë të rinj për rigjykimin e Tahirit, rrezikohet procesi

28 Qershor 2020, 11:25

Mbetet pa trupë gjykuese procesi që pritet të nisë nga e para në Shkallën e Parë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prej 2017-ës zvarritje në dyert e drejtësisë, Apeli vendosi rigjykimin nga e para duke rrëzuar vendimin e pafajësisë për drogë dhe të shpërdorimit të detyrës, por asnjë nga 10 gjyqtarët aktual tek GJKKO nuk mundet të jetë pjesë e rigjykimit. Kjo për shkak se ata e kanë kaluar më herët këtë dosje në gjykim, ndërsa gjyqtarët e rinj kanë refuzuar thirrjen e KLGJ për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Posaçme. Gjyqtarët refuzojnë të bëhen pjesë në Gjykatën e Posaçme duke mos iu përgjigjur dy ofertave të bëra nga këshilli i lartë gjyqësor, refuzim i cili fut në kolaps dhe procesin ndaj Saimir Tahirit.Kjo situatë e cila aktualisht ka lënë me 10 gjyqtarë, Gjykatën e Posaçme automatikisht pamundëson dhe rigjykimin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, pasi gjyqtarët aktual e kanë gjykuar atë më herët. Pak ditë më parë apeli i përbërë nga Dhimitar Lara, Albana Boksi dhe Nertina Kosova vendosën rigjykimin e procesit Tahiri por me një tjetër trup në gjykatën e Posaçme. Më 19 shtator 2019 gjyqtarët Ardit Mustafa, Irena Gjoka dhe Flora Haradinaj dënuan ish-ministrin me shërbim prove tre vite për shpërdorim detyre. Nga procesi i Vettingut, Mustafa është shkarkuar, ndërsa Haradinaj e Gjoka janë sërish por s'mund të jenë pjesë e trupës së re. Gjyqtarja Liljana Baku po ashtu ka gjykuar më herët masën për pasaportën e ish ministrit Tahiri çka automatikisht sjell përjashtimin e saj.