S'ka motorë uji se mungon sinjalistika në bregdetin shqiptar, pronarët: Do i vendosim vetë

6 Korrik 2019, 17:05

Edhe pse jemi në kulmin e sezonit turistik, në plazhet e Sarandës nuk janë marrë masat për vendosjen e sinjalistikës ujore për sigurinë e pushuesve  në plazhe.

Mungesa e kësaj sinjalistike, përveç se vë në rrezik jetën e pushuesve nga mjetet e uji  ka shkaktuar edhe bllokimin e mjeteve sportive për të lundruar. Kjo pasi nga ana e Policisë Kufitare nuk lejohet asnjë mjet sportiv "jetski" për dalje në det pa u vendosur më parë sinjalistika.  Kjo masë është rritur më tepër pas aksidentit me një turiste ruse 2 vjet më parë. Pronarët e këtyre mjeteve kërkojnë zgjidhjen e këtij ngërçi, pasi sipas tyre po penalizohen shumë.

"Është mesi i korrikut dhe siç shikohet nuk ka sinjalistikë ujore në plazhe për sigurinë e njerëzve. Për këtë arsye ne nuk pajisemi me leje  lundrimi nga Komisariati i Kufirit, pasi na thonë se nëse nuk vendosen sinjalistikat nuk do të pajiseni me leje sepse rrezikohen pushuesit. Është viti i katërt ky problem", tha Lame.

Të ndodhur në këtë situatë pronarët e mjeteve "jetski" kanë marrë në dorë situatën dhe kanë filluar vendosjen e sinjalistikës ujore.