Skandal në KOKSH, asambleja shkarkon presidentin me mbledhje sekrete

10 Janar 2021, 14:16 | Përditesimi i fundit: 2021-01-10 14:19:11

Në kushte të pazakonta është zhvilluar sot asambleja e jashtëzakonshme e KOKSH e cila ka votuar për shkarkimin e presidentit aktual Viron Bezhani.

Me 45 vota pro dhe 9 kundër asambleja vendosi që Bezhani të mos jetë më president. Ky i fundit ka qenë kundër kësaj asambleje e cila është mbledhur në mënyrë urgjente pa asnjë lajmërim në faqen zyrtare.

Ndërkohë për ngjarjen nuk janë lajmëruar as mediat, ndërsa ka qenë kundër rregullave të pandemisë. Kjo pasi asambleja është zhvilluar në një ambient të mbyllur me mbi 60 persona.

Sakaq Bezhani ka deklaruar për Report TV se çështjen do ta çoj në prokurori, pasi pretendon se politika po ndërhyn në mënyrë vendimtare në KOKSH. Përflitet se presidenti i ardhshëm i KOKSH do të jetë Fidel Ylli, por votimi për këtë do te mbahet në ditët në vijim.