Skandal në Rinas/ TIA fshehu fituesin e tenderit, procesverbali dhe vendimi i gjykatës që komprometojnë drejtorin Alvensleben

17 Qershor 2020, 14:21

TIRANE-Një tjetër skandal përfshin Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) me në krye gjermanin Constantin von Alvensleben. Kompania koncesionare e aeroportit ka fshehur fituesin e tenderit të organizuar nga vetë TIA për shërbimin furnizim me ushqime dhe pije për sallën e biznesit në Aeroport, duke operuar me dy standarde, ngritur dyshime të forta për manovra abuzive, dëmtuar reputacionin e të vetmit aeroport në Shqipëri si dhe duke prodhuar një tjetër konflikt me kompanitë që operojnë në terminal. Mbajtja peng e dokumentacionit të shpalljes së kompanisë fituese, konkretisht të shoqërisë A&A Airport, ka vënë ne lëvizje gjykatën, e cila edhe një herë i ka dhënë të drejtë kompanisë A&A Airport, duke urdhëruar sigurimin e dokumentacionit që e shpallte fituese.  

Çfarë ka ndodhur konkretisht? 
Në 10 janar 2020, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka shpallur tenderat për njësitë bar-restorant, dyqane edhe atë për shërbim catering për sallën e biznesit “Business Lounge” në aeroport. Tenderat për njësitë bar-restorant edhe dyqane janë përmbyllur me dorëzimin e dokumentacionit nga kompanitë e kualifikuara me 09 mars 2020, ku TIA ka njoftuar kompanitë e përzgjedhura ose jo, përmes një letre të datës 23 prill 2020. Çuditërisht, TIA nuk ka bërë asnjë njoftim për tenderin e shërbimit catering për sallën e biznesit edhe pse dokumentacioni nga kompanitë pjesëmarrës është dorëzuar përpara tenderave të tjerë, përkatësisht më 24 shkurt 2020. Dyshimet shtohen më tej në kushtet kur rezulton se TIA, përmes komisionit, kishte vendosur për fituesin e këtij tenderi qe në datën 16 prill 2020, ndërkohë që nuk e njoftonte fituesin siç bëri me tenderat e tjerë për njësitë bar-restorant edhe dyqane. Në datën 28 prill 2020, kompania pjesëmarrëse në tenderin për shërbim catering në sallën e biznesit, i drejtohet TIA-s me një shkresë që ta njoftonte nëse kishte fituar apo jo. Megjithatë, TIA, me në krye Constantin von Alvensleben, nuk kthen asnjë përgjigje.