Skandali/ Drejtori i ‘Magjistraturës’ Arben Rakipi avokat i kreut të TIA Alvensleben! Ligji e ndalon

6 Gusht 2020, 14:26

TIRANË-  Drejtuesi i një prej organeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë ushton në të njëjtën kohë aktivitetin privat të avokatit, duke përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e klientëve të ndryshëm në drejtësinë ku është vetë pjesë, në këmbim të parave. Kjo është çudia e radhës në drejtësinë shqiptare me protagonist Arben Rakipin, drejtues i Shkollës së Magjistraturës.

Në prill të vitit 2020, Arben Rakipi është caktuar drejtues i komanduar i Shkollës së Magjistraturës, ndërsa është në të njëjtën kohë avokat dhe Përgjegjës i Programit të Formimit Fillestar në institucionin nga i cili dalin prokurorët dhe gjyqtarët e rinj shqiptarë. Në 28 korrik 2020, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, emëroi me unanimitet Arben Rakipin, Drejtor të Shkollës së Magjistraturës, për një mandat katërvjeçar.Ndërkaq, ligji nr. 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në pjesën për Shkollën e Magjistraturës, ndalon që drejtori i Shkollës së Magjistraturës të ushtrojë çdo funksion tjetër, me përjashtim të të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore. Konkretisht, pika 3 e nenit 250 të ligjit nr. 115/2016 parashikon që “funksioni i Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik, anëtarësimin në partitë politike apo pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, ose kryerjen e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore”.