Skandali Duty Free/ Ja si gruaja e Gjin Gjonit mashtroi gjykatën për të kontrolluar dyqanet në Rinas

29 Tetor 2019, 18:30

Kompania Albania Duty Free Distribution, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, ka gënjyer Gjykatën e Tiranës, me qëllim për ta bindur të pranojë kërkesën për vijimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, pasi kishte humbur tenderin e shpallur nga kompania koncesionare TIA për menaxhimin e këtyre ambienteve si dhe në kushtet kur kontrata me TIA-n i mbaronte në 27 gusht 2019.

Në kërkesën e paraqitur në Gjykatën e Tiranës në 1 gusht 2019, për sigurimin e padisë për vazhdimin e aktivitetit në ambientet ekzistuese të Aeroportit të Rinasit deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë, kompania e Elona Çaushit. përpos të tjerave. ka pretenduar se tenderi i shpallur nga TIA për menaxhimin e të njëjtave ambiente “deri në momentin aktual nuk ka konkluduar me një fitues”.

Por, dokumentet e siguruara nga Shqiptarja.com provojnë se ky pretendim i përfaqësuesve të Albania Duty Free Distribution është një mashtrim i qëllimshëm. Së pari, kompania e gruas së Gjin Gjonit është njoftuar zyrtarisht nga TIA që në 22 shkurt 2019 se ka rezultuar humbëse në tenderin për dyqanet pa taksa. Së dyti, që Elona Çaushi ishte në dijeni se tenderin e kishte fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), këtë e konfirmon një letër e saj drejtuar TIA-s, në datën 5 korrik 2019.

Ne morëm pjesë dhe humbëm. Morëm vesh nga partnerët tanë që ka fituar ICDF”, thuhet ndër të tjera në letrën e zonjës Elona Çaushi. Pra në 5 korrik 2019 pranon se është informuar se tenderin e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free, ndërsa në 1 gusht thotë para gjykatës se nuk ka një fitues për tenderin. Ky mashtrim i Albania Duty Free Distribution është reflektuar në vendimin e gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi si argument plotësues për të pranuar kërkesën e përfaqësuesve të kompanisë për të vijuar aktivitetin ambientet ekzistuese të Aeroportit të Rinasit.