Skandali i ‘Duty Free’ në Rinas, gruaja e Gjin Gjonit nis rezistencën pasi humbet tenderin

19 Shtator 2019, 09:10

Bashkëshortja e Gjin Gjonit, Elona Çaushi, ka humbur për herë të parë përmes tenderit të drejtën për zhvillimin e aktivitetit tregtar (dyqane pa taksa) në ambientet e Aeroportit Nënë Tereza në Rinas. Zonja Çaushi, gruaja e një prej gjyqtarëve më të përfolur në Shqipëri për pasuri të dyshimtë, kontrollonte prej 20 vitesh mjedise në zonën tranzit të Aeroportit të Rinasit, përmes kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution (ADFD), duke i shfrytëzuar për aktivitet tregtar. Kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare Elona Çaushi me 100 % të aksioneve, në 27 gusht 2019, i ka mbaruar kontrata me TIA Aeroport për të përdorur ambientet brenda aeroportit me kushte ‘Duty Free’. ‘Duty Free’ do të thotë përdorimi i zonës jashtë doganore për shitjesh produktesh të ndryshme pa taksa, në bazë të një kontrate me TIA dhe një autorizimi të lëshuar nga Ministria e Financave. Pra, kontrata me TIA është vendimtare për autorizimin apo licencën për të ushtruar këtë aktivitet, lëshuar nga Ministria e Financave. Vetëm kur ke një kontratë të tillë mund të pajisesh me licencë.

Ndërkaq, duke i paraprirë mbarimit të kontratës, TIA Aeroport nisi në nëntor të vitit 2018 procedurat e tenderit për Duty Free-n e aeroportit. Ndryshe nga sa përflitet në disa qarqe mediatike, procedurat janë karakterizuar nga transparenca e plotë dhe respektimi i kornizave ligjore. Në përfundim të procedurës, kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF) fitoi të drejtën për menaxhimin e hapësirës “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme. Por ndërsa International Cruise Duty Free (ICDF) ka nënshkruar kontratën për nisjen e menaxhimit të hapësirës “Duty Free” që nga muaj nëntor 2019, kompania e Elona Çaushi ka nisur një betejë paralele, përmes gjyqtarëve që nuk kanë kaluar ende Vetingun, për të vijuar kontrollin e hapësirës “Duty Free” edhe për pesë vitet e ardhshme. Përpos gjyqtarëve të caktuar, në këtë histori janë përfshirë edhe segmente të tjera të shtetit shqiptar, ku të gjithë së bashku do të jenë objekt i një investigimi të mëvonshëm.