Skandali i parë i vitit 2020: Albcontrol i beson spitalit privat shëndetin e punonjësve dhe i dhuron 410 milionë Spitalit Amerikan

7 Janar 2020, 22:06

Ndërsa qeveria po mundohet të promovojë investimet e realizuara në spitalet publike, ''Albcontrol'' (shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror) vendos t’ia besojë shëndetin e punonjësve të tij një spitali privat. Viti 2020 hapet me një skandal të pare, që ka të bëjë edhe një herë me shëndetësinë dhe me mbivendosje e rrezikshme mes shëndetësisë publike e private. Më 24 dhjetor Albcontrol ka përfunduar procedurat e tenderit për t’i paguar paratë e shtetit një spitali privat check-up-et, analizat laboratorike dhe ndërhyrjet kirurgjikale për të gjithë punonjësit e tij, duke mos i konsideruar të besueshëm spitalet publike, të cilët i ofrojnë të gjitha këto shërbime falas. Me një vendim që nuk ka precedent, përfitim nga kjo kontratë e çuditshme nuk do të kenë vetëm 322 punonjësit, por edhe gjithë familjarët e tyre, për të cilët Albcontrol ka vendosur të paguajë 41 milionë lekë të reja në vit nga fondet publike në arkat e Spitalit Amerikan, që do ta marrë këtë shumë pavarësisht nga numri i check-up-eve, analizave laboratorike apo ndërhyrjeve kirurgjikale që do të kryhen realisht.

Skandali fillon në tetor 2019, kur Albcontrol hapi një garë të titulluar “Shpenzime për kontrollin mjekësor” duke vendosur kritere shumë të forta në mënyrë që asnjë konkurrent tjetër të mos merrte pjesë veç atij që ishte paracaktuar. Përmes kritereve të parashikuara për pranimin dhe kualifikimin pretendohet që “Operatori ekonomik duhet të ketë qendrën kardiologjike 24 orë/7, duhet të ketë urgjencë aktive 24 orë, laborator 24 orë dhe minimumi 2 ambulanca”. Plus 18 “Departamente & Specialitete” që mund t’i ofrojë vetëm një spital i madh. Por qarku mbyllet në vetëm një konkurrent, pasi, mes 18 departamenteve që kërkohen si kusht, është përfshirë edhe “hemodializa”, të cilën e disponon vetëm Spitali Amerikan (përveç spitaleve publike, që natyrisht nuk marrin pjesë në tender).

Fjala është për një kërkesë diskrimuese, pasi ndërmjet shërbimeve të cilat përfshihen në kontratë që Albcontrol pretendon nga fituesi i tenderit, shërbimi i hemodializës nuk është përfshirë. Në fakt, hemodializa u ofrohet falas nga shteti të gjithë shqiptarëve që kanë nevojë për të, në bazë të një tjetër kontrate koncesionare PPP, nga e cila përfiton edhe një herë Spitali Amerikan. Ta futësh hemodializën ndër kushtet për të marrë pjesë në tender, por pa e kërkuar këtë shërbim, duket se është një tjetër mënyrë e paligjshme e përdorur nga Albcontrol për t’i lejuar pjesëmarrjen në tender një konkurrenti të vetëm, domethënë Spitalit Amerikan.

Fondi limit i tenderit për shërbimin shëndetsor

Tenderi pa garë, që filloi në mes të tetorit, nuk u ndërpre as në ditët tragjike të tërmetit të 26 nëntorit, kur shteti doli të kërkojë fonde për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti, dhe përfundoi pa pengesa më 24 dhjetor 2019. Ashtu siç ishte planifikuar, në tender mori pjesë vetëm Spitali Amerikan. Por skandali brenda skandalit është se Spitali Amerikan dukej që ishte informuar më parë se nuk kishte konkurrentë të tjerë dhe për këtë arsye nuk e pakësoi as një qindarkë ofertën, sikurse ndodh zakonisht në përpjekje për të fituar me çmimin më të ulet, kur ka një garë të vërtetë. Dhe, në fakt, vlera me të cilën u mbyll kontrata ishte 41 milionë lekë të reja, saktësisht sa ishte edhe fondi limit, i caktuar pikërisht 41 milionë.

Kushtet që kërkohen për shërbimet shëndetësore nga pjesëmarrsit në tender

Portali CNA, i pari që zbuloi skandalin, ka hedhur idenë se, pas kësaj dhurate prej 41 milionë lekësh publike, të bërë Spitalit Amerikan në prag të festave të fundit të vitit, fshihen marrëdhënie personale mes drejtorit të Albcontrol-it Mina Kusta dhe drejtorit e aksionerit të Spitalit Amerikan Klodjan Allajbeu.

Për garën e dyshimtë duket se SPAK-u synon të hapë një hetim, ndërsa edhe KLSH ka ndërmend të verifikojë se si ka mundësi që një strukturë shtetërore të vendosë të shpenzojë para publike për t’i paguar asistencën shëndetësore një spitali privat, në vend që të orientojë punonjësit e saj drejt spitaleve publike. Dhe mbi bazën e cilit ligj është e mundur të shtrihet ky përfitim i kushtueshëm edhe në favor të familjarëve të punonjësve. Ndërsa Prokuroria duhet të verifikojë se çfarë (ose kush) i ka dhënë Spitalit Amerikan sigurinë se do të fitonte tenderin pa paraqitur asnjë ulje nga fondi limit.

(Kliko këtu për të lexuar shërbimet teknike që kërkohen)