Skandali me GULF/ PD tregon skemën se si kompania mashtroi shtetin dhe qytetarët

27 Prill 2018, 11:05 | Përditesimi: 27 Prill 2018, 14:24

Partia Demokratike ka reaguar sot për falimentimin e kompanisë së tregtimit të karburanteve ‘Gulf’, duke deklaruar se kjo kompani ka ngritur skemën e një piramide financiare.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, deklaroi se kompania ‘Gulf’ ka gënjyer dhe mashtruar klientët, duke grumbulluar 5 milionë euro. Sipas saj, dy kompanitë e mëdha të tregtimit të naftës, ‘ARMO’ dhe ‘Gulf’ kanë qenë të lidhura me klientin e qeverisë.

“Gulf ka ngritur skemën e një piramide financiare, duke gënjyer dhe mashtruar klientët, duke grumbulluar 5 mln euro. Gulf nuk ka dalë me një fitim të konsiderueshëm, ka dalë dhe me humbje. Ajo ka pasur një fitim rreth 3.8 mld lekë. Nafta e prodhuar në vend vitin e fundit ka pasur specifik shumë të veçantë. Prodhimi vendas kap vlerën e 200 mln euro prodhim me çmime tregu. 

Rrjeti i Gulf ka qenë një distributor kryesor i kësaj nafte. Ne kemi pikëpyetje për rolin e shtetit në procesin e hedhjes së naftës në treg. ARMO dhe Gulf kanë qenë të lidhur me klientin e qeverisë. Gulf kishte detyrime të prapambetura, kishte ngritur skemë detyrimesh të prapambetura fiskale. Akoma nuk kemi një përgjigje shteruese mbi falimentimin e kësaj kompanie.

b.ha./Shqiptarja.com