Skandali me vdekjen e boksierit bullgar, në vendin e tij ishte kushëriri me letra falso

24 Shtator 2019, 20:41

Të shtunën në pallatin e sportit të Shkodrës fatkeqësisht humbi jetën një boksier bullgar i cili po ndeshej me një kundërshtar nga Shqipëria. Fillimisht u tha se boksieri në fjalë ishte Isus Velchkov, por kjo ka rezultuar një skandal i madh pasi në vendin e tij ishte paraqitur kushëriri, i cili gjithashtu ishte i apasionuar pas këtij sporti.

Për gjithçka ka ndodhur ka folur trajneri i ekipit të Vllaznisë Zef Gjoni, i cili është shprehur:

“Ne si Shkodër, si Vllazni kishim për detyrë të angazhoheshim për organizimin e pallatati të sportit, ringut dhe pjesët që i takojnë organizatorit. Ajo që ndodhi, ne na vjen shumë keq, por përgjegjësia kryesore i bie trajnerit të boksierit bullgar, 100%. Nuk ka ardhur boksieri që ka qenë në listë, që kemi parë edhe në Facebook, por ka qenë tjetër. Sipas informacioneve, ato më duket se kanë qenë kushërinj dhe të ngjashëm disi njëri me tjetrin.

Kanë sakrifikuar për të ardhur për të marrë lekët, sepse ata që vijnë për t’u ndeshur paguhen. Edhe organizatorët i kanë pa licencën, pashaportën, dhe kanë qenë të ngjashëm. Trajneri që e ka bërë këtë, ai ka bërë gabim. Unë nuk jam hetuesi për të folur për të, por po flas para juve gazetarëve.

Ai ka pasur edhe një gabim, sepse në raundin e dytë, kur shkoi në pushim, nxori gjak nga goja, dhe aty trajneri duhej ta ndërpriste ndeshjen. Por, kështu ishte e shkruar dhe kështu ndodhi. Ai nuk ka rënë në tokë nga goditja, por zemra e ka lënë më pas. Nuk ka pasur shanse për të shpëtuar. Ekspertiza e Shkodrës ka nxjerrë se nuk e kishte nga goditjet, por nga zemra. Ka vdekur në spital.

Në pallat iu bë një ndërhyrje e vogël, iu vu oksigjeni. Por, në spital duket se ka shkuar kot, sepse që aty e ka kryer punën e vet. Organizatorët nuk kanë pasur dijeni. Ai është paraqitur me pasaportën e atij tjetrit. Ngjasonin komplet. Kur e merr përsipër trajneri, edhe organizatorët kanë vijuar punën e tyre. Diçka e tillë më ka ndodhur edhe në Greqi. Një maqedonas me një tjetër. Në raundin e dytë, ka ndodhur fiks si ky rast. Falë ndërhyrjeve, atje shpëtoi.”

I pyetur nga mediat bullgare vetë Velchkov, i cili u njoftua se humbi jetën në momentin e parë, ka theksuar: “Kishte që nga viti 2018 që mbante kartën time të identitetit, ai më thoshte se nuk ka problem pasi trajneri e dinte këtë gjë.”