Skandali/Berisha, dhëndri Jamarbër e Imami kallëzohen në SPAK për ‘rrëmbimin’ e ish-Klubit Partizani

24 Nëntor 2020, 19:47 | Përditesimi i fundit: 2020-11-24 20:33:00

Ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë gjatë qeverisjes ‘Berisha’, janë kallëzuar penalisht në SPAK, për privatizimin e pronës shtetërore ish-Klubit Partizani, një sipërfaqe rreth 10 mijë m2, në qendër të Tiranës, ku sot janë ndërtuar 17 kulla. Kallëzimi është referuar nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili akuzon ish-zyrtarët e lartë për shpërdorim detyre, ndikime të paligjshme, falsifikim dokumentesh, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion.

Në kallëzim thuhet se disa familje të vetëquajtura ish-pronarë, me përfaqësues ligjor dhëndrin e familjes Berisha, Jamarbër Malltezi, janë favorizuar në vitin 2008, ku brenda disa muajsh janë realizuar të gjitha procedurat njohjes dhe kthimit të pronës në fjalë, në kushtet kur ish-pronarëve të tjerë u duhen disa dekada. I gjithë shteti i Sali Berisha është angazhuar për të tjetërsuar në kohë rekord pasurinë publike, kur sot janë ngritur kullat e dhëndrit të tij me vlere mbi 20 milionë euro. Historia është e paprecedentë dhe e vendos SPKA para një prove të fortë.

Por cilat janë pikat e forta të kallëzimit?

Së pari, në kallëzim thuhet se ish-pronarët që kanë marrë pronën, janë kompensuar më parë për këtë pronë, duke ngritur dyshime të forta për falsifikim dokumentesh për t’i hapur rrugë përfitimit të paligjshëm të pasurisë publike. “Nga verifikimi i deritanishëm dyshoj se ish-pronarët, pretendues të kësaj prone, kanë qenë kompensuar më parë nga qeveria italiane në vitin 1940 për këtë pronë dhe rrjedhimisht ata nuk mund të pretendonin kthimin dhe njohjen e një prone që ishte shtetërore tashmë, pasi të gjitha pronat që kanë qenë në pronësi të shtetit italian gjatë pushtimit i kanë kaluar shtetit shqiptar në bazë të një marrëveshje”, thuhet në kallëzim.

Sipas kallëzimit ''Shpërdorimi detyrës qëndron në faktin se pronarët e rinj të tokës ku ndodheshin objektet e Ushtrisë, janë shpronësuar një herë nga Italia fashiste, e cila kishte planifikuar të ndërtonte një aeroport. Madje toka është blerë nga Sheqet Vërlaci dhe Jako Mane. Toka, nga Rruga e Kavajës deri tek Rruga e Durrësit është blerë nga italianët dhe më pas ka kaluar në duart e shtetit. Pra, pretendentët e këtyre pronave janë kompensuar një herë nga italianët dhe më pas toka është shtetëzuar, duke i kaluar në pronësi Ushtrisë''.