Skeda/ Kush është Luftar Reçi, i penduari i SPAK që 'spiunoi' Emiljano Shullazin dhe Lul Berishën

8 Dhjetor 2020, 22:33

I akuzuar për vrasje dhe trafik droge dhe prej 11 vitesh në burg, emri i Luftar Reçit është rikthyer në qendër të vëmendjes sot për shkak të rolit kyç që ka pasur në hetimet e bujshme të SPAK, për akuzat ndaj dy prej bosëve më të mëdhenj të krimit në Shqipëri, Lulzim Berisha dhe Emiljano Shullazit dhe bandat e tyre. Informacionet që ai ka dhënë si i penduar në dy vrasjet e bujshme të 26 dhe 27 shkurtit 2005 janë kyç për akuzat që SPAK artikuloi sot.

Luftar Reçi është vënë në pranga në vitin 2009, pasi ishte shpallur në kërkim në vitin 2005, i dyshuar atëherë për disa ngjarje kriminale dhe i akuzuar për vrasjes e Maks Lalës. Ai është vëllai i ish-biznesmenit Agim Reçi. Ky i fundit u ekzekutua në mënyrë mafioze rreth një vit më parë.

Luftar Suleman Reçi ka qenë i akuzuar për ‘vrasje me paramendim‘, e kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal, si dhe të ‘trafikimit të lëndëve narkotike‘".

Reçi së bashku me nipin e tij Taulant Elezi, më 8 maj 2005, në aksin rrugor të autostradës Milot-Burrel, në afërsi të Ulzës, kanë vrarë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës Maksim Aleks Lalën. Pas kryerjes së këtij krimi të rëndë, kanë djegur trupin e viktimës me napalm, duke e hedhur në vendin e quajtur "Ura e kallamishtesh" në Burrel.

Pas izolimit në burgun e sigurisë së lartë, në Burrel, Reçi është vizituar disa herë nga atëherë drejtori i Krimeve të Rënda pranë Ministrisë së Brendshme Agron Kuliqi.  Zbritjet e tij të bujshme nga helikopteri i kësaj ministrie në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit verilindor tërhoqi vëmendje të madhe në qytet.

Për vrasjen e Maksim Lalës, Luftar Reçi është dënuar me 25 vite burg.