SKEDA/ Lidhjet fisnore e shoqërore që realizuan super-grabitjen në Rinas, grupi Murataj-Çala-Kupa

22 Prill 2019, 17:31

Policia ndërton skemën se si funksiononte banda që theu sigurinë e rinasit duke vjedhur 7 thasë me para vetëm pak ditë më parë. Veç Admir Muratajt, i vrarë gjatë grabitjes nga Policia, si i përfshirë dyshohet edhe Klement Çala, një tjetër supergrabitës, i cili prej vitit 2013 është në kërkim, pas arratisjen nga burgu i Trikallas në Greqi. Çala është në kërkim  si bashkëpunëtor i Aleks Pepës, i cili hyri në pistën e Rinasit në 10 qershor të 2016 për të grabitur një tjetër shumë të konsiderueshme eurosh. Ai gjithashtu dyshohet se është i përfshirë në dy grabitjet në 2015 së bashku me Admir Muratajn. Në atë kohë, ata sulmuan blindat e kompanive të sigurimit, duke u arratisur pa lënë asnjë gjurmë pas.

Edhe Alkond Bengasi i njohur si miku i ngushtë i Klement Çalës nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi ka vuajtur dënimin me tre vite heqje lirie për veprat penale, “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Për herë të fundit, Bengasi është arrestuar në vitin 2015 së bashku me Klement Çalën në Vlorë teksa ishin me pushime. Por në mënyrë të çuditshme jo vetëm Bengasi por edhe Klement Çala i shpëtoi qelisë edhe pse ai kërkohej nga autoritetet greke si i arratisur nga burgu i Trikallas.

Ndërkohe edhe Saimir Çela është një person me precedent të mëparshëm penal. Mësohet se Çela ka qenë shoqëruar edhe për grabitjen e pikës së Këmbimiot Valutor në Fier, ku mbeti i vrarë Agur Vrenozi pas përleshjes me grabitësit, por ai u lirua sërish pasi policia nuk gjeti prova për ta lidhur me tre autorët Zini Fyraj, Lulëzim Demiraj dhe Dashamir Gergali.

Ndërsa për Renaldo Sulajn nuk ka dosje hetimore, ndërkohë që policia nuk jep detaje për rolin e tij në këtë grabitje, ndërsa të dy këta persona njihen si të afërm të Klement Çalës madje edhe me lidhje farefisnore.

Edhe Oltjon Veseli i arrestuar në Krujë, nuk duket se ka lidhje fare rastësore me këtë grabitje apo me sulmet që u janë bërë blindave me para në të shkuarën. Oltjon Veseli është i afërm i Dash Kupës, grabitësit të blindave me para në 2015. Madje familjarë të tij dhe Dash Kupa  janë ortak në biznese shërbimi si restorante apo piceri.