Skema e tatimeve për të dy punësuarit, Zef Preçi: Nuk është pozitive, duhen rritur pagat

25 Nëntor 2019, 16:01

 

Ndryshimi i sistemit të taksimit për të punësuarit në më shumë se një pozicion, shikohet me skepticizëm nga ekspertët. Propozimi për të tatuar të punësuarit për totalin e të ardhurave që marrin nga punët që bëjnë, për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi është i pa konsultuar dhe mund të ndikojë negativisht në deklarimin e pagave.

Përshkallëzimi në tre nivele i tatimit (mbi të ardhurat personale) ka çuar në shtimin e informalitetit dhe të evazionit fiskal. Rritja e paarsyetuar, e paargumentuar dhe e pashoqëruar me arsimimin dhe edukimin përkatës, e taksave është joproduktive. Një numër punëdhënësish detyrojnë të punësuarit që t’i tërheqin paratë në bankë dhe të kthejnë një pjesë të tyre në cash tek punëdhënësi. Ky është një fenomen i njohur, për të cilin heshtet” është shprehur Preçi.

Ndërkohë, shqetësim serioz sipas ekspertit të ekonomisë mbetet përcaktimi i minimumit jetik. Në mungesë të këtij treguesi Preçi propozon rritje të pagave dhe inkurajim të punëmarrësve dhe punëdhënësve për të paguar detyrimet e tyre.

Shqipërisë i mungon akoma një minimum jetik. Nuk ka një harmonizim të pagës minimale, pensionit minimal dhe minimumit jetik. Punëmarrësi duhet të inkurajohet që të kontribuojë brenda parametrave që ka ligji për sigurimet shoqërore,duhet edukuar që të përfshihet në skemat private të pensioneve. Por, nuk mund ta taksosh thjesht për faktin që mund ta kapësh” tha eksperti.

Ndërkohë sa i takon buxhetit për vitin 2020 dhe shkurtimit të fondeve për investime infrastrukturore, për Preçin janë një sinjal jo i mirë, që tregon se ekonomia është në tkurrje. Sipas tij e vetmja mundësi që ka qeveria për të rritur ekonominë është përmirësimi i klimës së biznesit.