Përfaqësuesi i Skenës së Pavarur Kulturore, Andi Tepelena rrëfen se si pandemia Covid 19 ka vështirësuar veprimtarinë artistike në vendin tonë. Për projektet e artistëve të pavarur gjatë vitit që lamë, për Tepelenën, mbështetja e institucioneve të kulturës ka qenë zero, duke mos rialokuar asnjë fond të posaçëm
“Nga momenti, që vendi ndodhet në këtë situatë pandemie, skema financiare për të ndihmuar krijuesit e pavarur ka munguar. Unë nuk di që artistët të kenë përfituar deri në këto momente që flasim një ndihmë modeste. 2.5 milionë euro ka rialokuar Ministria e Kulturës së Kosovës për artistët e pavarur. Ndërsa, këtu artistët vazhdojnë të aplikojnë për fonde, por fond të posaçëm s’ka pas asnjë”, thotë Tepelena.
Sa i përket fondit që MK çel çdo vit për projekte, artistët duhet të aplikojnë përmes Organizatave Jofitimprurëse, gjë që sipas Tepelenës i penalizon
“MK bën një thirrje ccdo vit për aplikimet, vazhdon skema fikse, por duhet gjetur alternativa të reja, se rreth 150 mijë euro në vit, është një shumë e papërfillshme. Ndërsa, aplikimi përmes OJF-ve penalizon tmerrësisht artistin”
Për Tepelënën, skena e pavarur është drejt asfiksimit, por ai shpreson për një përgjigje nga ministrja aktuale e Kulturës Elva Margariti, në zyrën e së cilës prej tre vitesh fle një draft-projekt për formalizmin e këtij tregu, që prej 30 vitesh mbahet peng nga politika shqiptare
