Skenar destabiliteti në protestë? Reagon PD: Rama po përdor politikisht Policinë

12 Shkurt 2019, 17:30

Në një deklaratë të sotme Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi deklaroi se Kryeministri Edi Rama po përdor si vegël politike Policinë e Shtetit. Ky qëndrim i opozitës lidhet me pretendimin e policisë se në protestë do kete persona me precedentë penalë dhe skenarë për destabilizim. Ai u shpreh se shqiptarët nuk duhet të tremben nga këto kërcënime dhe t'i bashkohen protestës së opozitës në 16 shkurt. Bardhi ftoi Ramën që të heqë dorë nga skenarët destabilizues dhe më tej e cilësoi 16 shkurtin si dita që do i hapë rrugë normalitetit europian në Shqipëri. 

Deklarata

Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi, zemërimi dhe revolta e shqiptarëve, Edi Rama, i vetmuar, shfaqi sot gjithë pasigurinë dhe frikën e tij, kur urdhëroi Policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit.

Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal. 

Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt.

Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet.

Paralajmërojmë Policinë Politike të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore!

Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi. Ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën.  

Edi Rama ka vetëm një detyrë: t’i hapë rrugë zgjidhjes politike! Ai nuk mund të qeverisë më me mandate të vjedhura dhe kundër interesit të shqiptarëve! Koha për Edi Ramën është drejt skadimit!

I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij! Në të kundërt, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi, njësoj si çdo diktator që del kundër vullnetit të popullit të bashkuar!

Ftojmë shqiptarët të injorojnë kërcënimet e një pushteti të kalbur nga krimi dhe korrupsioni! Shumica dërrmuese e policëve janë me protestuesit, sepse ata duan që të luftohet krimi. Njësoj si ne të gjithë, edhe policët duan më shumë siguri për fëmijët e tyre, më shumë mundësi për ta dhe duan t’i rrisin ata në një vend normal.

Më 16 shkurt, së bashku do t’i hapim rrugë normalitetit europian në Shqipëri!

Të bashkuar askush nuk do të na ndalë dot!

G.M.

    No videos found.