Skenari i vjeshtës/ Ndoka: Protesta frontale! Na ka mbetur vetëm revolucioni, Basha luks për Ramën!

4 Shtator 2019, 20:05 | Përditesimi i fundit: 2019-09-04 20:29:19

TIRANE- Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka i ftuar në studion e Report Tv përballë gazetarit Besard Jacaj u shpreh se në kushtet kur kryeministri Edi Rama nuk bën asnjë hap pas për zgjidhjen e krizës, opozitës i ka mbetur vetëm revolucioni.

Ai tha se opozita është gati që të ulet në tryezë nëse ekziston vullneti i sinqertë nga Edi Rama, ndërsa deklaratat për kushtin për tryezë pa kreun e qeverisë aktuale ai i cilësoi si lojëra fjalësh nga opozita. Ndoka theksoi se aleatët e vegjël të PD-së janë përpjekur që ta moderojnë këtë term, pasi kanë parë nëse Rama ka një qasje apo një mendim ndryshe dhe nëse Rama është i hapur për konsensusin, pasi këto nuk janë pengesa.  

"Ka mbetur vetëm revolucioni. Ky kryeministër prodhon cdo ditë skandale, afera dhe paligjshmëri. Klasa politike të ndërgjegjësohet për një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Politika shqiptare është detyruar për të rënë dakord nga ata që flasin anglisht.

Kjo lë një shije të hidhur. I takonte Ramës si kryeministër i vendit për të bërë një hap, për ta kapërcyer këtë krizë të rëndë. I takonte Ramës që ta thërrasë një tryezë me të gjitha partitë me Bashën. Kushtet për tryezë pa Ramën?

Janë lojëra fjalësh, si nga opozita dhe shumica, kur ekziston dëshira janë të dyja partitë që kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta, parimore dhe jo parimore ndër vite. Në momentin që Rama ka një qasje për ti dhënë zgjidhje kësaj pengese janë grupet negociatore... Kjo është më tepër për kauzën e opozitës që nuk duan të shohin Ramën".

Por a është kjo një rënie e kushtit? "Basha thotë nuk futemi me Ramën në zgjedhje, edhe në tryezë nuk mund të ulesh kur ajo është demagogji dhe dështon, nuk mund të ulesh. Këto nuk janë pengesa, por mekanizma, i kemi kaluar këto teka. Jemi përpjekur që ta moderojmë edhe si term, kemi parë nëse Rama ka një qasje një mendim ndryshe dhe është i hapur për konsensusin, nuk janë këto pengesat". 

Ndoka u shpreh se Rama ka qenë luks për Bashën, i cili sipas tij nuk vinte nga politika e vjetër. "Unë kam menduar se Rama do të jetë model, pasi kishte luksin të kishte përballë tij zotin Basha, një format tjetër, jo që vinte nga një klasë politike e egër. Ishte një luks për Ramën për të pasur përballë Bashën me një tjetër kulturë politike".

Më pas Ndoka ka zbardhur edhe strategjinë e opozitës në vjeshtë kundër kryeministrit Edi Rama. "Opozita i ka plotësuar angazhimet e veta. Opozita duhet të ketë një qasje tjetër ndaj protestave, një tjetër stil më të ashpër, pasi kryeministri e ka rritur arrogancën e tij. Aksioni do të jetë frontal, mjaft i ashpër në përballje me shumicën, Ramën, protesta në cdo qytet dhe kombëtare. Do të pengojmë kryeministrin në arrogancën e tij që të largohet edhe me pahir.

Askush nuk e do dhunën, edhe ne që i organizojmë nuk e duam dhunën. Protesta e dhunshme janë kur tenton të marrësh pushtetin me dhunë, jo molotovi, pasi nuk në protestë nuk shkohet me lule. Është tjetër kur qytetarët shfryjnë dufin e tyre dhe tjetër kur tentojnë të marrin pushtetin me dhunë".

Në vijim kryetari i Partisë Demokristiane u ndal edhe te dekreti i Presidentit për 13 Tetorin. Ndoka theksoi se ishin gjermanët ata që kërkuan një datë tjetër për zgjedhjet për t'i dhënë një tjetër mundësi opozitës, por shtoi se edhe sikur sot të zhvillohen zgjedhje nuk merr pjesë për sa kohë të administrohen sipas tij nga Rama.

"Presidenti shmangu përplasjen civile dhe këtë meriton të lavdërohet dhe jo të shkarkohet. Presidenti është konsultuar edhe me Ramën për shtyrjen e zgjedhjeve, ka pasur negociata edhe me ndërkombëtarët. Gjermanët kanë këmbëngulur që të ketë një datë tjetër zgjedhjesh që ti jepet një tjetër mundësi opozitës.

Edhe sot po të ketë zgjedhje nuk regjistrohemi me këto kushte, pasi nuk ia besojmë Ramën. Nuk jemi në një linjë me presidentin në këtë sens. Meta i rri besnik dekretit të tij, tjetër kauza e presidentit në raport me përgjegjshmëritë e tij dhe tjetër aksioni opozitar për lirinë e votës". Në fund ai deklaroi se Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave me këtë qeveri.

    No videos found.