Skënderbeu mbetet pezull. UEFA e licenson, por dënimi e mban jashtë Kupave të Europës

3 Qershor 2019, 14:37

Duke u bazuar te renditja e kampionatit si dhe licensimi i bëri publik ditën e sotme Skënderbeu është skuadra e katërt që do të marrë pjesë në Kupat e Europës, por për shkak se klubi korçar është i dënuar nga UEFA, ka ende paqartësi.

“Ne kemi dërguar një formular në UEFA pasi na është kërkuar fituesja e kampionatit, renditja, fituesja e Kupës dhe fituesja e kampionatit të rinjve. Ne thjesht kemi bërë renditjen, nuk përcaktojmë se kush luan në Europë apo jo. Ky është një vendim që i takon UEFA-s. Ne na takon të caktojmë kush licensohet këtu te ne dhe kush jo,”-deklaron Eduart Gjini, shefi i sektorit të licensimit në FSHF.

Në ditët në vijim do të jetë UEFA që do të njoftojë se kush është skuadra që do ta marrë përfundimisht pjesë në Kupat e Europës, por sipas të gjitha gjasave Laçi do të marrë vendin e Skënderbeut.