Skuadër e mirëorganizuar me 5 persona të paguar për atentatin ndaj prokurorit dhe të 'fortit të Shijakut'

2 Nëntor 2019, 16:29

TIRANE - Një skuadër e mirëorganizuar dhe e mirëpaguar dyshohet të fshihet pas atentatit të prokurorit Arjan Ndoja pasditen e djeshme në mblikalimin e Shkozetit teksa ishte në makinë me shoferin e tij dhe një person me precedentë të mëparshëm penalë, Landi Muharremi nga Sukthi njohur si i forti i Shijakut.

Gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, një ditë pas ngjarjes, tha në studion e Report Tv, se dyshohet të kenë qenë 5 persona autorët që kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të kryer atentatin, i cili i la të plagosur të tre personat që ndodheshin në makinën AA 333 ZD, që prokurori kishte në përdorim por rezultonte me letra në pronësi të një tjetër personi. Dy persona dyshohet të kenë qëlluar me automatik nga një makinë e cila rezultoi e vjedhur në Tiranë dhe me targa të falsifikuara, ndërsa në timon ka qenë një person i tretë. Dy persona të tjerë dyshohet të kenë pritur në vendin ku gjet makina e braktisur e autorëve, në fshatin Shkafanë të Shkozetit në Durrës. Me ndihmën e tyre janë larguar me një tjetër automjet, dhe ende nuk janë kapur nga policia. Megjithatë në identifikimin e tyre mund të ndihmojë makina e braktisur e cila ndryshe nga skenarët e tjerë të atentateve mafiozë, nuk është djegur. Brenda saj janë gjetur dy armët automatike me të cilat autorët lëshuan breshërinë ndaj makinës së prokurorit, maska, dhe gjurmë gishtërinj e mbetje biologjike si pështyma, që mund të çojë grupin e hetuesve drejt emrave të dyshuar.