'Skuadra t'i kërkojë falje tifozëve', nervozohet Gatusso pas humbjes me Fiorentinën. Disfatë edhe për Atletico-n

19 Janar 2020, 12:15

Napoli i Genaro Gatusso-s nuk po arrin të japë shenja jete pasi për llogari të javës së 20 të Seria A është mposhtur 0-2 nga Fiorentina në San Paolo. Përpara tifozërisë së vet skuadra e kaltër nuk mundi të shfaqte asgjë, ndërsa ‘vjollcët’ në minutën e 26 kaluan në avantazh falë Federico Chiesa-s.

Nga ky moment pritej reagimi i vendasve, por Fiorentina në pjesën e dytë me 19-vjeçarin Vlahovic realizoi golin e dytë dhe njëkohësisht golin që vulosi sfidën. Kjo ishte humbja e tretë radhazi për Napolin në ‘Seria A’, ndërsa në 2020 skuadra e kaltër nuk ka njohur rezultat tjetër përveç disfatës.

Pas ndeshjes Gatusso ishte tepër i mërzitur, pasi deklaroi: ‘Ne duhet ti kërkojmë falje tifozëve dhe qytetit pasi ndeshja ishte e turpshme. Nuk duhet të kërkojmë alibi, port ë marrim përgjegjësitë, nga unë i pari.”

Ndërkohë edhe në ‘La Liga’ e shtuna në mbrëmje ka qenë befasuese pasi modestët e Eibar kanë moshtur 2-0 Atletico Madrid. Vendasit e befasuan shpejt skuadrën e drejtuar nga Simenone pasi në minutën e 10 Burgos shënoi golin që zhbllokoi shifrat. Për të gjithë pjesën e mbetur të lojës Atletico Madrid tentoi të paktën të barazonte, por në minutën e 90 Eibar realizoi edhe golin që vrau sfidën, duke vulosur disfatën e Atletico Madrid.

Pas 20 ndeshjesh në kampionat Atletico Madrid renditet në vendin e tretë me 35 pikë, 8 më pak se Real Madrid i vendit të parë.