'S'morën pagën dhe s'rifilluan punën', naftëtarët e Fierit vijojnë protestën: Afati i fundit të hënën

11 Shtator 2020, 12:15

FIER- E hëna është afati i fundit që naftëtarët e Fierit i kanë lënë kompanisë "Allun" për të mbajtur premtimet e dhëna, pagat e prapambetura dhe rifillimi i punës. Jo rastësisht është lënë kjo ditë. E hëna e 14 shtator shënon rifillimin e shkollës dhe ata shprehen se nuk kanë mundur që të përmbushin detyrat e tyre si prind, t'u blejnë librat më minimalja, sepse nuk kanë marrë asnjë lekë për 10 muaj. Sot kanë dalë në protestë një pjesë e naftëtarëve, por premtojnë se të hënën do të jenë të gjithë së bashku dhe do të vendosin se si do të vijojë aksioni i tyre. Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha se përfaqësuesit e kopanisë janë zhdukur, duke e cilësuar si një tallje.

"Sot ka qenë afati i fundit për kontrata dhe dhënia e pagës së premtuar. Me dhënien e këtyre dyjave duhet të fillonte punë. Kontratat pothuajse janë të përfunduara, por pjesa më e madhe që janë për të hyrë në rafineri i kanë nënshtruar kontrata. Janë premtime boshe, e ka parë Shqipëria videon e ministre, jemi shumë të zhgënjyer nga kjo kompani, se nëse nuk ka financë për të dhënë pagën minimale, ditë e hënë ku do të shkojnë në protestë apo të çojmë fëmijët në shkollë. Kjo është një tallje e pafund, se tentojmë t'i kontaktojmë dhe nuk na përgjigjen. Le të mbajë përgjegjësinë si është shprehur me zë dhe me figurë le të marrë përgjegjësinë e duhur", tha Dautaj.