SMS kërcënuese të ish-kryegjyqtarit të Pukës: Mos të duket e lehtë, do e shohësh

20 Janar 2019, 14:43

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, më 12 dhjetor të 2018, ka vendosur të shkarkojë nga detyra kryetarin e Gjykatës së Pukës, Izet Kadana, i cili nuk mundi të kalojë asnjërin nga tre testet e Vetingut. Përpos mosjustifikimit të pasurisë dhe problemeve me figurën, trupa gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli, ka konstatuar se Kadana ka shkelur edhe etikën e gjyqtarit, pasi i ka dërguar 19 mesazhe kërcënuese një shtetaseje me iniciale F. L, për shkak se kishte konkurruar për një vend pune, i projektuar për bashkëshorten e tij. Bëhej fjalë për një pozicion kryesekretare/financiere pranë Prokurorisë së Rrethit Pukë, vend të cilin pas ndërhyrjes së gjyqtarit Kadana, sipas KPK, e fiton bashkëshortja e tij.

Mesazhet kërcënuese

Në vendimin e shkarkimit të kryetari të Gjykatës së Pukës, Izet Kadana, zbardhet përmbajtja e disa mesazheve të tij, dërguar shtetases F. L, në vitin 2015, vetëm sepse kjo e fundit kishte konkurruar për pozicionin e punës. “Në ankesën e saj, kjo shtetase pretendon se gjyqtari Izet Kadana, i ka sjellë shqetësime duke i dërguar 19 sms në numrin e saj të telefonit. Këto pretendime, sipas saj lidhen me aplikimin për punësim në pozicionin e kryesekretares/finanieres, pranë Prokurorisë së Rrethit Pukë, vend për të cilin kishte aplikuar edhe bashkëshortja e subjektit, znj. S. K. Nëpërmjet këtyre mesazheve sipas denoncueses, ai e uronte për detyrën e re dhe e kërcënonte se nuk do ta lejonte të emërohej në atë vend pune”, thuhet në vendimin e KPK. Sipas KPK, Kadana kishte njohje prej kohësh me shtetasen F. L. duke qenë se ajo kishte punuar si financiare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë. Kjo shtetase, si dhe gruaja e tij, kanë aplikuar për një vend pune për kryesekretare/financiare pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë. Shtetasja F. L. dhe bashkëshorti i saj, i ishin shprehur paraprakisht bashkëshortes së subjektit, znj. S. K., se ajo nuk do të konkurronte. Pasi Kadana ka marrë vesh nga Prokurori i Rrethit Pukë se ishin përzgjedhur dy kandidatura për t’u vlerësuar, mes të cilave shtetasja F. L., dhe jo kandidatura e bashkëshortes së subjektit, ka pranuar se i ka dërguar shtetases F. L. mesazhet e pretenduara, për shkak se është zhgënjyer prej saj dhe se sjelljet e saj i janë dukur hipokrite.