Socialistët Europianë: BE të hapë negociatat se ua kemi borxh! Dështimi do ringjallte nacionalizmat

16 Tetor 2019, 17:06

Presidenti i PES (socialistëve europianë) Sergei Stanishev i ka dërguar një letër Presidentit të Këshillit të Europës Donald Tusk ku kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në letër evidentohen të gjitha rezultatet që kanë arritur dy vendet duke plotësuar të gjitha kushtet që u kërkuan, ndërsa tani, thotë ai, duhet që BE-ja të mbajë fjalën për të hapur negociatat.

"Ne duhet të shkojmë në të njëjtën drejtim, megjithëse me një ritëm të ndryshëm, në vend që të mënjanojmë vendet deri në një ‘kohë të duhur’, e cila duket se nuk do të vijë kurrë ose kurrë nuk do të jetë e përshtatshme për të gjithë. Të mos pranojmë arritjet e të dy vendeve, së bashku me politikën tonë të Zgjerimit dhe angazhimet do të ishte një gabim i rëndë strategjik.

Nëse BE-ja nuk i respekton angazhimet e saj tani, ky zhgënjim do të cenojë besimin. Ne nuk mund të lejojmë ringjalljen e nacionalizmit për të minuar përpjekjet drejt paqes dhe pajtimit në këtë rajon ende të brishtë të demokracive të reja, ku plagët e së kaluarës ende nuk janë shëruar plotësisht.

Ne nuk duhet të dështojmë. Këtë ia kemi borxh jo vetëm popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë qytetarëve të BE-së, të cilët presin veprim vendimtar dhe udhëheqje të përgjegjshme, dhe jo vetëm ‘sinjale’" thuhet ndër të tjera në letër. Vendimi do të merret në samitin e dy ditëve të ardhshme të liderëve te BE-së.