Sociedad në finale të Kupës së Mbretit/ City avancon në FA Cup, jashtë Tottenham

5 Mars 2020, 14:07

Real Sociedad është finalistja e parë e Kupës së Mbretit. Përfundon ëndrra Mirandes. Sociedad e ka fituar edhe gjysmëfinalen e kthimit 1-0 me golin e Oyarzabal dhe kap finalen e 18 prillit ku pret fituesen e çiftit Granada-Bilbao.

Në Angli Manchester City dhe Leicester arrijnë në çerekfinalet e FA Cup. Djemve të Pep Guardiolës u mjaftoi një gol i Kun Agueros për të mposhtur Sheffild Wednesday dhe në fazën tjetër do përballen me Newcastle. Chelsea në çerekfinale do ketë përballë Leicester.

Ndërsa eliminim surprizë ishte ai i Tottenham. Londinezët u nxorrën jashtë FA Cup nga Norwich. Koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën 1-1 në Londër por tek penalltitë triumfuan miqtë që në fazën e ardhshme do sfidojnë fituesen e çiftit Derby County -Manchester United.

Edhe në Kupën e Gjermanisë janë përcaktuar katër ekipet gjysmëfinaliste. Pas Bayern Mynih dhe Saarbrucken më tej kanë avancuar Eintracht Frankfurt dhe Bayer Leverkusen. Aspirinat fituan me përmbysje 3-1 ndaj Union Berlin në stadiumin e tyre falë golave të Bellaraby, Aranguiz dhe Diaby.

Frankfurti likuidoi Werder Bremenin e Rashicës 2-0 me nga një gol për çdo pjesë dhe siguroi gjysmëfinalet. Andre Silva me penallti në të parën dhe Kamada në 45 minutat e dyta ishin autorët e golave.