55.7% e shqiptarëve do të shkojnë të votojnë më 30 Qershor. Ky është rezultati i dalë nga sondazhi i realizuar nga Instituti italian GPF Inspiring Research, i realizuar në bashkëpunimin me Report tv, vetëm pak ditë nga zgjedhjet lokale. Në rezultatet e publikuara në emisionin “Repolitix” në Report TV, ku i ftuar ishte edhe Presidenti i GPF Inspiring Research Roberto Baldassari, pjesa më e madhe e qytetarëve të pyetur shprehen të vendosur për të ju drejtuar kutive të votimit të dielën, konkretisht 55.7% e të anketuarve. Ndërkohë që 34% shprehen se nuk do të votojnë, 10.3% thonë se nuk e dinë, ose nuk japin përgjigje.
Qytetarët që shprehen se do të votojnë më 30 qershor, të pyetur se përse do ta bëjnë një gjë të tillë, 72.5% e tyre thonë se të votosh është një e drejtë qytetare, ndërsa 15.7% thonë se të votosh është detyrë qytetare. 7.8% thonë se do të votojnë se nuk janë dakord me protestat, ndërsa vetëm 4% thonë se do të votojnë se pasi 30 qershori është caktuar me kohë si datë zgjedhjesh. Nga ana tjetër, të pyetur pjesa e qytetarëve, 34% që thanë se nuk do të shkojnë të votojnë, 71.7% tyre thonë se refuzojnë të votojnë pasi për aq kohë sa nuk marrin pjesë të gjitha partitë nuk mund të jenë zgjedhje të rregullta.
12.9% e të anketuarve që nuk do të votojnë janë dakord me protestat e opozitës, 8.6% refuzojnë të votojnë nga frika e protestave dhe përplasjeve civile, ndërsa 6.8% thonë se kanë frikë se vota e tyre nuk do të jetë sekrete për aq kohë sa nuk marrin pjesë të gjitha partitë. Ndërkohë të pyetur nga GPF Inspiring Research, 58.2% e qytetarëve shqiptarë shprehen se nëse do të kete zgjedhje më 30 qershor, ato janë të rregullta. Ndërsa 32.4% e shqiptarëve i konsiderojnë false, si dhe 9.4% shprehen se nuk e dinë ose nuk preferojnë të përgjigjen.
Nëse ka zgjedhje të parakohshme
Nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin sot, Partia Socialiste do të fitonte me 55-59% të votave. Sipas rezultateve të sondazhit të fundit të institutit italian ‘GPF Inspiring Research’, në bashkëpunim me Report Tv, Partia Socialiste ka pësuar rritje të theksuar krahasuar me tre sondazhet e para të zhvilluara në datat 13 mars 2019, 17 prill 2019 dhe 15 maj 2019. Në sondazhin e 13 marsit mbështetja për PS ishte 49-53%, në 17 prill ishte 50-54% dhe në 15 maj ishte 50-54%. Ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare të 2017, PS mori 48.3% të votave.
Sipas sondazhit, nëse zgjedhjet politike do të mbaheshin sot, Partia Demokratike do të merrte 30-34% të votave, duke pësuar në një rënie krahasuar me sondazhin e 15 majit, ku mbështetja për PD ishte 33-37% të votave. Gjithsesi sondazhi konfirmon një rrije të PD krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 2017, ku mori 28.9% të votave. Sipas sondazhit Lëvizja Socialiste për Integrim, nën drejtimin e Monika Kryemadhit, vijon të humbasë terren dhe mbështetjen e shqiptarëve. Mbështetje për LSI rezulton 4-5% të votave.
Në sondazhin 13 marsit mbështetja për LSI ishte 9-11%, në 17 prill 7-9% dhe në 15 maj ishte 4-6%. Në zgjedhjet parlamentare të 2017 LSI mori 14.3% të votave. Ndërkaq, nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin sot, Partia Bindja Demokratike do të merrte 2-4%, Partia Republikane 0-1%, PDIU 1-3%, FRD 0-1% dhe partitë e tjera 0-1 %. Edhe si koalicion, e majta do t’i fitonte zgjedhjet. Sipas sondazhit, PS dhe partitë e tjera aleate do të merrnin 56.7%, opozita e bashkuar 37.4%, Bindja Demokratike 2.4% dhe partitë e tjera 3.5%.
Besueshmëria e politikanëve
Edi Rama rezulton politikani më i besueshëm për shqiptarët, ndërsa Astrit Patozi dhe Monika Kryemadhi mbeten politikanët më pak të besueshëm. Të pyetur se cila nga figurat politike u duket më e sinqertë në deklarimet publike, 46.9 % kanë zgjedhur kryeministrin Edi Rama. Ndërkaq, Lulzim Basha ka konsoliduar pozicionin e tij si më i besueshëm se sa Berisha. Sipas sondazhit, besueshmëria e Bashës është 16.3 %, ndërsa për Berishën 7.4 %.
Ilir Meta rezulton po aq i besueshëm s Berisha, me 7.4 %. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, vijon të mbetet politikania më pak e besueshme, pas Astrit Patozit, me vetëm 1.6 %. Besueshmëria për Astrit Pazotin rezulton 1.0 %, ndërsa për Rudina Hajdarin me 2.1 %. Por, 17.2 % të të pyeturve nuk besojnë tek asnjë politikan. Në sondazhin e 13 marsit 47 % nuk besonin tek asnjë politikan, ndërsa në 15 maj përqindja ishte 42.5 %. Më polarizimin e situatës politike, masa e mosbesuesve ka rënë në mënyrë radikale.