Sonte finalja e Champions, PSG sfidon Bayern Mynih, Flick tregon recetën e fitores, Tuchel: Jam këtu për kupën

23 Gusht 2020, 12:06

Champions Leaguen do e fitojë për herë të parë PSG apo për herë të gjashtë Bayern Mynih. Dita e madhe erdhi dhe sonte duke nisur nga ora 21:00 në Lisbonë luhet finalja e madhe e Champions ku do të mësohet  ekipi që do ngjitet në majën e futbollit evropian. PSG-ja sfidon Bayernin e Mynihut dhe francezët janë gati.

Trajneri Thomas Tuchel ka deklaruar në vigjilje të finales:” Jemi këtu për ta luajtur dhe fituar finalen.Kjo është ndeshja më e rëndësishme në karrierë për mua”.  Rikuperohet Keylor Navas që do mbrojë portën dhe të vetmen dilemë Tuchel ka që Verrati të luajë titullar apo ta nisë nga stoli. Ekipi u stërvit në “Da Luz” aty ku do luhet edhe ndeshja dhe Neymar-Mbappe me shokë janë gati.

Nëse për PSG-në kjo e sotmja është finalja e parë në histori Bayern Mynih është mësuar me të tilla pasi deri më tani ka luajtur plot 10-të nga të cilat 5 i ka fituar dhe po aq i ka humbur.  Trajneri i bavarezëve Hansi Flick thotë se francezët janë një skuadër e madhe dhe sqaron:” Kanë lojtarë të shpejtë dhe ne do e organizojmë mirë mbrojtjen. Ne e dimë forcën tonë dhe do t’i vëmë kundërshtarët nën presion”.

Ekipi që fiton nuk ndryshohet por gjithsesi Flick e ka një dilemë. Mbrojtësi Pavard është gati dhe luan për një vend në formacion me Thiagon. Nëse Pavard luan në krahun e djathtë të mbrojtjes atëherë Kimich zhvendoset në mesfushë. PSG dhe Bayern janë përballur tetë hera me njëra-tjetër në grupet e Champions dhe francezët kanë fituar 5 ndeshje e bavarezët 3. Drejtësi do të vendosë italiani Daniele Orstao. Sonte e gjithë bota është sy e veshë në Lisbonë. Përcaktohet “Mbreti” i ri i Europës./ Përgatiti Andi Kapxhiu