Sonte finalja përballë Turqisë, kuqezinjtë kërkojnë hakmarrje

11 Tetor 2019, 11:45 | Përditesimi i fundit: 2019-10-11 19:03:04

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë sonte një finale të vërtetë në Stamboll përballë Turqisë, pasi i duhet një fitore me cdo kusht për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin në Europianin e 2020. 

Report Tv dhe Shqiptarja.com do të përcjellin emocionet dhe gjithcka ndodh nga Stambolli, pasi atmosferën para ndeshjes, gjatë dhe pas saj do ta ndjekin gazetarët Aldo Kozarja dhe Erind Koçi.

Cdo rezultat tjetër përvec fitores për kuqezinjtë nuk vlen, pasi shanset për t'u kualifikuar do të ishin thuajse zero. Aktualisht Turqia ka 15 pikë dhe kryeson grupin së bashku me Francën me pikë të barabarta, ndërsa Islanda ka 12 pikë, më pas vjen Shqipëria me 9 pikë.

Prandaj kuqezinjtë do të tentojnë hakmarrjen për humbjen në ndeshjen e parë në Shkodër, por edhe për të qëndruar në lojë deri në fund për kualifikimin. Trajneri Reja pritet që të zbresë në fushë me një formacion 3-5-2.

Në portë do të jetë Strakosha, përpara tij Dermaku, Gjimshiti dhe Ismajli. Mesfusha e ngjeshur me pesë lojtarë do të përbëhet nga Lenjani, Bare, Gjasula, Memushaj dhe Roshi, ndërsa goli do të kërkohet nga Manaj dhe Cikalleshi. Sfida do të luhet në orën 20:45.