Soreca apel të rinjve: Ju vendosni, votoni më 25 prill, rrini në Shqipëri e shfrytëzoni të drejtën e votimit

1 Prill 2021, 14:39 | Përditesimi i fundit: 2021-04-01 18:30:09

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca u ka bërë një apel të gjithë të rinjve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për të ndryshuar të ardhmen e tyre. Soreca shprehet se ata kanë fuqinë që përmes votës të vendosin atë që duan, ndërsa apelon që ato të mos e shpenzojnë kot këtë të drejtë.

Gjatë një aktiviteti për programin e Erasmus në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Soreca tha se të rinjtë shqiptarë duhet të ndryshojnë vendin e tyre përmes zgjedhjeve në mënyrë që të shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe jo të largohen.

"Të rinjve dua t'u jap një mesazh. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe më të rëndësishme janë këto zgjedhje për ju të rrini në Shqipëri. Unë ftoj të rinjtë të dalin dhe të votojnë. Hidhni votën në kutinë e votimit, se vetëm kështu do të bëni diferencën. Mos e shpenzoni kot këtë të drejte që ju keni. "Ti vendos"", tha Soreca

Pak ditë më parë BE kërkoi nga partitë politike zhvillimin e një fushate zgjedhore  në mënyrë paqësore dhe pa gjuhën e urrejtjes si dhe inkurajoi qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.