Soreca i dorëzon raport-progresin Rudina Hajdarit: Rekomandim pa kushte, tejkaloni ndasitë politike

30 Maj 2019, 15:05

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca i dorëzoi komisionit parlamentar të Integrimit, raport progresin e Komisionit Evropian që rekomandoi hapjen e negociatave.

"Është kënaqësi që kam mundësi të takohem me komisionin e integrimin evropian. Jam i lumtur që komisioni do të ketë mundësi të shqyrtojë elementët e raportit. Raporti është për të nxjerrë masat dhe për tu zbatuar më pas elementët e nevojshëm për përmbushjen e tij.

Jam i lumtur që japim këtë rekomandim pozitiv për Shqipërinë, i cili është pa kushte, topi është në fushën e këshillit që duhet të marrë një vendim lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Të gjitha palët duhet të tejkalojnë ndasitë dhe të jenë në një drejtim të përbashkët sa i takon integrimit", tha Soreca, teksa i dorëzoi raportin kryetares së komisionit, Rudina Hajdarit.

Ralf Gjoni: Më lejoni t'ju ftoj të jeni më të angazhuar me kuvendin e Shqipërisë, veçanërisht me deputetët e rinj, sidomos sa i përket angazhimit tonë në favor të ndryshimit të reformës zgjedhore.

Soreca: Llogaridhënia është element i rëndësishëm për demokracinë. Komisioni i Integrimit është vendi ku ne ndjejmë që jemi pjesë, ne jemi BE, dhe vendin duket se e kemi tek ju, tek ky komision. Sa i takon asistencës tonë, më lejoni të them se nëse do doni të ketë pjesëmarrje dhe ndihmë nga ekspertë sa i takon raportit mos hezitoni të na kontaktoni.