Soreca: Ridiskutimet për negociatat në 'dorë' të Kroacisë, shteti më i ri i rajonit në BE

22 Tetor 2019, 21:30

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca i sheh si shpresë dhënëse ridikutimet për Samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në maj të vitit 2020. Për Soreca-n, pritet të ketë një "frymë" të re në këtë samit, i cili do të diskutohet në Kroaci, një vend nga rajoni dhe në fakt është shteti anëtar më i ri i Bashkimit Evropian.

Bollino: Kryeministri italian Konte deklaroi se Italia do ta ripropozojë çështjen për hapjen e negociatave në Këshillin e ardhshëm për çështje të përgjithshme, i parashikuar në nëntor. Cili do të jetë rasti tjetër, sipas jush, për ta ridiskutuar konkretisht hapjen e negociatave?

Soreca: Mendoj që është shumë e rëndësishme kjo gjë, pra ajo që bëri kryeministri Konte sepse kjo ka të bëjë edhe me vazhdimësinë e punës. Nuk pati vendim pra të enjten në darkë ose të premten në mëngjes. Pra ishte një e premte e vështirë, të paktën për ne dhe për qytetarët shqiptarë, për të gjithë në fakt. Por kjo është vazhdimësia e punës dhe ky mesazh është shumë i rëndësishëm. Dhe për këtë arsye, nga të dyja palët puna duhet të vazhdojë. E thashë më parë këtë për autoritetet shqiptare, por e njëjta gjë vlen edhe për Bashkimin Evropian. Pra, përfundimet e Këshillit përmendën majin e vitit 2020, për Samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, me presidencën kroate të Këshillit, e cila meqë ra fjala, është një element shumë i rëndësishëm që kemi një vend nga rajoni dhe në fakt është shteti anëtar më i ri i Bashkimit Evropian, i cili do të jetë në krye të Këshillit Evropian dhe do të organizojë këtë samit. Pra ne shpresojmë që kjo çështje do të dalë edhe më herët, pasi përgatitja e diskutimeve, siç e kemi parë, pra këto diskutime që janë të vështira, është e rëndësishme që sa më shpejt që të fillojë Këshilli t’i fillojë diskutimet, aq më mirë do të jetë.

Komisioni Evropian në fakt ka filluar tashmë punën dhe po punon për këtë çështje dhe i gjithë Bashkimi Evropian, për t’u siguruar që kjo agjendë dhe kjo pikë të qëndrojë në rendin e ditës së punës së BE-së dhe të jetë pjesë e punës së BE-së përpara majit 2020 dhe kjo dosje të rikthehet në tryezë.