Soreca: Udhëheqësit evropianë 5 orë diskutime për Shqipërinë...I zhgënjyer që nuk u hapën negociatat

22 Tetor 2019, 21:08

Në intervistën ekskluzive për Report Tv me gazetarin Carlo Bollino, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, thotë se në disktuimet e Këshillit Evropian që zgjatën deri në 3 të mëngjesit, shumica dërrmuese e shteteve anëtarë, ishin pro që të çeleshin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por për shkak të vetos franceze, ky vendim u shty ndoshta për në muajin maj 2020.  Ai shprehet i zhgënjyer për këtë vendim.

"Më lejoni të them që në nivel personal edhe unë jam i zhgënjyer. Jam i zhgënjyer për arsye sepse kam punuar shumë, kam punuar fort për Shqipërinë, jo vetëm në të shkuarën, si p.sh. për liberalizimin e vizave dhe jam krenar që kam pasur mundësinë që ky hap i rëndësishëm të arrihej dhe të përfundoja edhe unë punën time në këtë aspekt. Por tani jemi në një moment të rëndësishëm, në një fazë të rëndësishme dhe më lejoni që me pak fjalë të shpjegoj pra, që kemi pasur liderët, udhëheqësit evropianë që kanë diskutuar për rreth 5 orë, në një ditë kur agjenda e tyre ishte plot me çështje të rëndësishme, si p.sh. Brexit-i, apo ndryshimet klimatike. Pra, për 5 orë ata kanë diskutuar çështjen e zgjerimit dhe çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo tregon qartë se sa e rëndësishme është kjo çështje për BE-në dhe natyrisht, edhe për këto dy shtete, të cilat janë shtete shumë të rëndësishme për BE-në dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla", tha Soreca, duke shtuar se Shqipëria duhet të vijojë me detyrat e shtëpia.