Soreca, Zingraf dhe Barsacq nga Elbasani: Zgjedhjet test për integrimin, 40 ekipe nga BE për monitorimin!

19 Prill 2021, 18:47

Zgjedhjet e 25 prillit janë një test për vendin për integrimin në BE. Ky është mesazhi i qartë dhe që dhanë njëzëri tre ambasadorët në vendin tonë, ai i BE-së Luigi Soreca, ai gjerman Peter Zingraf dhe ajo franceze Elisabeth Barsacq. Nga Elbasani, ku zhvilluan takime me drejtuesit politik të partive në këtë qark, ambasadorët ngritën problematikën e shit-blerjes së votës, duke thënë se kjo është një vepër penale që dënohet me ligj. Ata presin që më 25 prill zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të ndershme duke çuar një mesazh të qartë demokracie jo vetëm për qytetarët, por edhe vendet anëtare të BE-së.Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca tha se më 25 prill do të jenë 40 ekipe që do vijnë për të monitoruar në qendra të ndryshme të votimit, madje disa do të jenë edhe në Elbasan. Në lidhje me çështjen e patronazhistëve, ai tha se kjo çështje po hetohet nga SPAK dhe është e rëndësishme që ajo të lihet të bëjë punë e saj. Ndërsa ambasadorja franceze Elisabeth Barsacq u ndaj edhe tek gjuha e urrejtjes së përdorur nga politikanët dhe kandidatë gjatë fushatës elektorale, ku tha se kjo duhet të mënjanohet. Në fund të gjithë theksuan se zgjedhjet duhet të garantojnë sigurinë e votës së qytetarëve dhe se në fund të gjitha palët të pranojnë rezultatin më 25 prill.