‘SOS’ për Spitalin e Traumës, Dogjani: Mungojnë 5 reaminatorë, shkak largimi i mjekëve

8 Nëntor 2019, 16:55

TIRANË- Spitali i Traumës, i vetmi spital ku referohen të gjitha rastet emergjente apo aksidentet, po përballet me mungesën e mjekëve.
Mjeku Agron Dogjani tha nga Kongresi i tretë i Traumës dhe Urgjencës Kirurgjikale Shqiptare, se në repartin e anestezi reaminacioni, mungojnë mbi 5 reaminatorë, pasojë kjo e largimit të mjekëve jashtë Shqipërisë.

“Ne kemi në disa specialitete mungesë të kuadrit mjekësor. Në repartin e anestezi reaminacionit, ne tashmë kemi mungesë personeli mbi 5 reaminator. Tashmë kemi 8-9 reaminator që mbulojnë gjithë punën voluminoze. Qeveria duhet të shpallë atë që quhet SOS, të gjejë mjetet dhe rrugët që ti mbajmë këto kontigjente, është truri i kombit, mbajeni mend, mbas disa vitesh nuk do kemi ku te vizitohemi” - u shpreh mjeku Agron DogjaniNga ana tjetër, mjeku shprehet se kapacitetet e spitalit të Traumës janë të pamjaftueshme për të përballuar numrin e lartë të pacientëve, ku vetëm gjatë një dite ka rreth 100-150 trauma.
“Duhet të kemi kapacitete më të mëdha akomoduese dhe trajtuese dhe mundësisht të kemi dhe një spital më të madhë dhe manxhimi i traumave mos të përqëndrohet vetëm në spitalin e Traumës por edhe në një spital tjetër pasi ne e kemi të pamundur me këto kushte që kemi, me të njejta kapacitete, të menaxhojmë traumat. Cdo ditë presim në spitalin tonë rreth 100-150 trauma, mbi 40 mijë trauma në vit” - tha Dogjani
Sipas mjekëve Shqipëria mban vend rekord për numrin e aksidenteve dhe të mënyrave të tjera të traumave.