Sot 2 viktima nga COVID-i, 90 raste të reja, mbyllet bashkia e Malësisë së Madhe

10 Korrik 2020, 10:38 | Përditesimi i fundit: 2020-07-10 16:06:09

TIRANE-Dy pacientë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga COVID-i duke e çuar në 85 numrin e viktimave në total nga fillimi i pandemisë. Një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani, të shtruar prej disa ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rënduar, nuk kanë mundur të mbijetojnë, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Aktualisht janë të shtruar 81 pacientë në spital, 11 janë në terapi intensive në gjendje serioze, një pjesë mosha të reja dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive.Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 36 raste në Tiranë, 15 në Durrës, 11 në Vlorë, nga 8 raste në Kukës, Krujë, 4 në Kurbin, 3 në Elbasan, 2 në Lushnje, nga 1 rast në Lezhë, Kamëz, Dibër. Në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1875 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1318 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rikujton bizneset se duhet të respektojnë me rigorozitet protokollet për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe qytetarëve. "I drejtohemi me një lutje të gjithë qytetarëve: Tregohuni të kujdesshëm, respektoni distancimin fizik, higjienën personale. Mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura është e domosdoshme. Mbani maskën kudo ku nuk mund të ruani distancën fizike, për të mbrojtur veten dhe të tjerët, për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Izolohuni nëse keni shenja të sëmundjes dhe telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40".