Sot dita e fundit e fushatës, e mbushur plot risi..nga vota për kandidatin në një sistem proporcional, masat anti-COVID deri te një President Republike në 'garë'

23 Prill 2021, 12:34 | Përditesimi i fundit: 2021-04-23 12:36:06

Ditën e sotme në mesnatë mbyllet fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Partitë politike deri në mesnatë duhet të përmbyllin përpjekjet për të bindur votuesit e regjistruar që të mbështesin përfshirjen e tyre në qeverisjen e ardhshme të vendit. Dita e nesërme do të jetë heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën 3 milionë e 588 mijë e 869 shqiptarë zgjedhin 140 parlamentarët e rinj. Numri më i madh i votuesve janë meshkuj, saktësisht 50.5% e tyre, ndërsa pjesa tjetër prej 49.5% janë femra. Për herë të parë do të hedhin votën e tyre 107 mijë e 024 shqiptarë, të cilët kanë mbushur moshën madhore, që i lejon të zgjedhin dhe të zgjidhen. Shifra prej më shumë se 100 mijë të rinjsh është më se faktor në zgjedhje dhe me ndikim direkt në rezultatin përfundimtar. 1,098 persona nuk mund të votojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme. Për herë të parë futen në garë në një palë zgjedhje të përgjithshme, disa forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje

Palët vijnë në këtë garë pasi kanë ndryshuar kodin zgjedhor, jo pa polemika. Socialistët arritën një marrëveshje në Këshillin Politik me opozitën jashtë parlamentare, por më pas miratuan në Kuvend, me votat e opozitës brenda Parlamentit, disa amendamente në Kodin Zgjedhor.

Për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2005, shqiptarët do të mund të votojnë përveç partisë dhe kandidatin që preferojnë,  Në këto zgjedhje do të votohet vetëm me një fletë votimit. Në fletën e votimit janë të shënuara emrat e subjekteve zgjedhore (parti politike, koalicione ose kandidatë të pavarur), dhe në secilin rresht ku është shënuar emri i subjektit zgjedhor janë të shënuar në vazhdim numrat e kandidatëve të atij subjekti sipas renditjes në listën e dorëzuar në KQZ.

Ndryshimet e Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor në vitin 2021 sollën edhe ndryshimin e rregullave të zgjedhjeve të përgjithshme. Në sistemin tonë elektoral, partitë politike hartojnë një listë me kandidatë për deputetë për çdo qark dhe e paraqesin në KQZ për t’u miratuar. Renditjen e kandidatëve e bën vetë partia e cila vendos në krye të saj personat që dëshiron të marrin mandatet e para dhe të sigurta të zonës zgjedhore. Ndryshimet ligjore transformuan edhe mënyrën e koalicioneve të partive. Tashmë partitë që bëjnë koalicion parazgjedhor duhet t’i rendisin kandidatët e tyre në një listë të vetme të përbashkët për çdo qark.