Sot GJITHÇKA mbyllur! Nga e hëna del për pazare vetëm një familjar (me leje online)

29 Mars 2020, 13:18 | Përditesimi i fundit: 2020-03-29 18:15:42

TIRANË - Nga ora 13:00 e ditës së shtunë, deri në 05:00 të mëngjesit të së hënës, në Shqipëri është bllokuar gjithçka. Nuk lejohet as lëvizja e këmbësorëve dhe as e automjeteve, ndërsa është mbyllur çdo lloj aktiviteti ekonomik, përfshi edhe supermarketet dhe farmacitë. 

Nga dita e hënë, do të nisë një rregull i ri për të dalë nga shtëpia gjatë orarit të lejuar, 05:00 - 13:00. Nëse një familja ka disa anëtarë, do të duhet të dalë për të blerë ushqime, ilaç apo për të kryer shërbime, vetëm një person. Dalja nga shtëpia do të bëhet vetëm pasi të jetë marrë leje online në sistemin e-Albania, aty ku përmes një procedure që është prezantuar nga qeveria hap pas hapi, raportohet për personin që do të dalë, ditën dhe orën. Ky rregull i ri, penalizon pensionistët. Asnjë pensionist nuk do të dalë nga shtëpia, as për të blerë ilaç, as ushqime, dhe aq më pak për të marrë ajër! Qeveria ka deklaruar se pensionistëve që janë të vetmuar dhe nuk i kanë fëmijët apo persona të afërm që jetojnë me ta, do t'u çohen ushqimet dhe ilaçet në banesë nga autoritetet përkatëse. Më shumë një premtim i parealizueshëm për vetë pensionistët të cilët u shprehën dje për Report Tv se askush nuk do t'i shkojë në derë, dhe se qeveria duhet t'u lë një orar kur ata të dalin për t'i kryer vetë nevojat e tyre.