Sot Ismail Kadare mbush 85 vjeç! Rama: Mirënjohës për monumentin që i ka ngritur gjuhës shqipe!

28 Janar 2021, 13:14 | Përditesimi: 28 Janar 2021, 13:14

#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- 85 vite më parë, 28 janar të vitit 1936, u lind në Gjirokastër Ismail Kadareja, shkrimtari i shquar shqiptar. Ditëlindja e Kadares nuk është një datë e shënuar vetëm për lexuesit shqiptarë që krenohen me të, por edhe për lexuesit e gjuhëve të tjera në botë, pasi letërsia e tij është përkthyer në më shumë se 45-së gjuhë. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, si ‘Komandant i Legjionit të Nderit’.Ditëlindjen e shkrimtarit të shquar, Kadare kanë uruar edhe disa prej figurave politike. Kryeministri Edi Rama ka shprehur përmes urimit mirënjohjen dhe falënderimin ndaj tij për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe. Edhe presidenti Meta ka uruar Kadaren përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook duke thënë se është shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe krijuese të kombit shqiptar. Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin "Prince of Asturias Aëards" për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

b.ha./Shqiptarja.com