Sot ndeshja e kthimit në EL për Partizanin, Lerda: Sherifi skuadër e vështirë, por besojmë deri në fund

1 Gusht 2019, 10:48

Sot në Tiraspol Partizani do të luajë shansin e fundit për të vijuar të mbetet në Kupat e Europës pasi do të përballet me Sheriffi-n për ndeshjen e kthimit të turit të dytë kualifikues. Një javë më parë të kuqtë u mposhtë minimalisht 0-1 në ‘Selman Stërmasi’, por më shumë se sa rezultati zhgënjeu loja, duke dhënë shumë shpresë për përmbysje. Gjithsesi i këtij mendimi nuk është trajneri i të kuqve Franco Lerda i cili në prag të sfidës ka deklaruar:

“Nuk e prisnim të humbnim në ndeshjen e parë, por gjithsesi ne do të luajmë gjithçka në këtë sfidë të kthimit. Sherifi është skuadër me kualitete dhe jam i vetdijshëm për këtë, por ne do të synojmë të shfrytëzojmë në maksimum shanset tona deri në minutën e fundit.”

Nga seansat stërvitore të zhvilluara në Shqipëri Lerda ka lënë përhstypjen se në këtë sfidë skuadra do të ndryshoj shumë në krahasim me përballjet e para europiane. Ndryshimet do të fillojnë që nga skema e lojës, pasi ekipi nuk do të rreshtohet më 4-3-3, por 3-4-3 ose 3-5-2. Gjithashtu trajneri Italian ka menduar për një lojë sulmuese dhe nuk do të kursejë nga minuta e parë Lorenc Trashin dhe Asir Asanin, dy futbollistë që ndeshjen e parë në Tiranë e nisë nga stoli.

Kjo sfidë do të nisë në orën 19:00 dhe vlen më shumë se sa një ndeshje e zakonshme, pasi në rast kualifikimi përveç prestigjizit do t’i sillte klubit edhe 280 mijë euro, si pjesmarrëse në turin e tretë. Ndërkohë për t’u veçuar edhe fakti që Partizani në këtë sfidë do të mbështet nga një grup tifozësh që kanë udhëtuar nga Shqipëria.