Sot nis vaksinimi masiv me Sinovac, Stroni: Vaksina kineze ofron mbrojtje 100% ndaj vdekjeve

28 Mars 2021, 08:33

Ditën e diel pritet të nisë vaksinimi masiv në vendin tonë me Sinovac, vaksinën kineze. Mjeku infeksionist Gent Stroni tregon se kjo vaksine ka një efektshmëri shumë të lartë.

“Ne kemi studime të bëra në Turqi që efikasiteti shkon deri në 91% aq sa shkojnë  dhe vaksinat e tjera. Por më kryesorja është që efektshmëria ndaj humbjes së jetës ose ndaj vdekjeve është 100% pra edhe vaksina kineze në rast se aplikohet tek një person jep efikasitetin 100% mbrojtje ndaj vdekjes”, tha mjeku Gent Stroni.

Mjeku Stroni shpjegoi dhe ndryshimet e vaksinës kineze nga llojet e tjera.

“Metodologjia e bërjes së vaksinës ka disa lloje të ndryshme, ku dikush merr një proteinë të virusit dhe e fut në trupin e njeriut, dikush tjetër merr virusin jo aktiv dhe bën të mundur që të mos ketë asnjë lloj problematike në trupin e njeriut ky virusi jo aktiv siç është kinezja. Pra do të thotë që rezultati është i sigurt”, u shpreh mjeku.

Mjeku infeksionist thotë se situata në sezonin e verës pritet të jetë më e mirë.

“Duke parë pjesën e formimit të antitrupave si pasojë e kalimit të virusit, pra atë që ne e kemi thënë shumë shpesh imuniteti tufës dhe së dyti duke parë dhe vaksinimin që po ndodh patjetër që situata e beharit do jetë shumë herë më mirë se sa tani. Nuk pretendohet që do të zhduket, pra që në momentin e parë dhe ne të themi që gjate beharit ne nuk do te kemi njerez të infektuar por ne do të bashkëjetojmë me të për një kohë edhe më të gjatë se kaq”-tha më tej mjeku.