Dy liderët e 5 Yjeve dhe të Legës, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, pasi u morën vesh dje për temat më kryesore për një bashkëqeverisje të mundshme të Italisë pritet që të biend dakord sot edhe për emrin e kryeministrit dhe t’i japin vendit një qeveri pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Ndërkohë, politikani dhe kritiku i artit Vittorio Sgarbi, i cili prezantoi dje në Torino librin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, “Kurban”, ua ka këshilluar atë dy protagonistëve kryesorë të zgjedhjeve të fundit italiane, pikërisht në prag të formimit të qeverisë së re.
I intervistuar nga gazeta “La Stampa”, Sgarbi u shpreh:
Një këshillë letrare për Di Maion dhe Salvinin? Sigurisht librin e Edi Ramës, “Kurbanin”: historinë e e një politikani, që sot është kryeministri i Shqipërisë por që ka qenë edhe kryebashkiak. Përveç Salvinit që ka qenë eurodeputet dhe këshilltar bashkiak në Milano, për Di Maion e kam thënë gjithnjë se që të bëhet kryeministër dikush që nuk ka qenë asnjëherë as këshilltar bashkiak, më duket një ide ekstravagante. Më pas u këshilloj atyre të lexojnë “Thesarin e Italisë”, librin tim në gjashtë vëllime. Një politikan nuk mund t’i lejojë vetes që të mos njohë Cassetta-n, Lorenzetti-n ose Martini-n. E kam pyetur edhe Grillo-n, ai nuk më është përgjigjur asnjëherë por ndoshta sot e di, duke qenë se i ka hyrë studimit.