Rradhë te testimi për Policinë e Shtetit, flasin aplikantët e rinj

4 Shtator 2019, 13:51 | Përditesimi i fundit: 2019-09-04 15:03:39

TIRANE - Me mijëra janë të rinjtë që të ardhmen e shohin në radhët e Policisë së Shtetit për Patrullë të Përgjithshme. Mbi 2000 vetë kanë marrë pjesë këtë të mërkurë në testimin me shkrim mbajtur në Pallatin e Kongreseve për tu pranuar në fazën e parë të rrugës drejt uniformave blu. Hapi i dytë është testimi fizik. 

Testimi zhvillohet në dy faza brenda ditës, të ndara në disa qarqe: Fillimisht qarqet Tiranë, Berat, Durrës e Fier dhe më tej, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korcë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër. Pyejet janë me karakter të përgjithshëm dhe testimi kryhet nën monitorimin e kamerave.Rezultatet e testit dalin menjëherë, e ndërsa brenda dy ditësh konkurrentët kanë të drejta të ankimojnë notën ne rast se nuk janë dakord me rezultatin.

Në prezencë të një grupi me rreth 30 aplikantë të zgjedhur si përfaqësi nga vetë aplikantët, bëhet korrigjimi me skandron dhe përgjigjet afishohen menjëherë në Pallatin e Kongreseve. Çdo konkurent, në fund të çdo faze konkurimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit"

Policia e Shtetit, në datë 3 Korrik, hapi aplikimet për 500 vende, për Patrullë të Përgjithshme. Thirrjes së Policisë për t’u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2 120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. 

Ndërkohë, vijojnë të jenë të hapura aplikimet deri në datën 15 shtator 2019, për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në degët Ekonomik, Juridik dhe Teknologji Informacioni dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë, të cilët në përfundim të kursit, do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.