TIRANE - Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim depozituan sot në Prokurori një padi kundër kryeministrit Edi Rama. Padia e opozitës lidhet me denoncimin e ish-oficerit të Fushë Krujës, tashmë në arrati, Emiljano Nuhu, se është kërcënuar me jetë në zyrën e tij nga të afërm të deputetit socialist, Rrahman Rraja dhe në prani të kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla.
Kryetarët e grupeve parlamentare Edmond Spaho dhe Petrit Vasili dorëzuan kallëzimin në Prokurorinë e Tiranës. Opozita bën përgjegjës edhe kryeministrin Edi Rama për kërcënimin e pretenduar të Nuhut, pavarësisht se ish-oficeri nuk ka qenë në gjendje të japë prova konkrete që faktojnë akuzën e tij. Sipas opozitës, qëndrimi i kryeministrit ka qenë në mbrojtje të deputetit Rraja, duke promovuar kështu dhunën dhe krimin.
Opozita ka tre akuza ndaj Ramës "kanosja për shkak të detyrës", "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "kanosja për të moskallëzuar".
Sipas PD dhe LSI, nga deklarimi publik i Kryeministrit Edi Rama më datë 29.09.2018, arrihet në konkluzionin se:
a) Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet deklarimit të tij publik, ka patur për qëllim jo vetëm manipulimin e opinionit publik mbi çështjen, por mbi të gjitha intimidimin dhe paracaktimin e rezultatit të hetimit nga organet ligjzbatuese, me synimin për të penguar zbulimin e të vërtetës.
b) Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet deklarimit të tij publik, ka patur për qëllim kanosjen mafioze ndaj Nënkomisarit Emiljano Nuhu, me synimin për ta friksuar që të mos flas më tej.
c) Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet deklarimit të tij publik, ka patur për qëllim kanosjen mafioze ndaj çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, me synimin që ato të mos dëshmojnë dhe të mos tregojnë të vërtetën, por të heshtin.