SPAK nis marrjen në pyetje për koncesionin e sterilizimit, mjeku paditës: Sqarova dëmet që sjell

20 Janar 2020, 11:51

TIRANË-Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas padisë nga nisma 'Thurje' për koncesionin e sterilizimit është vendosur në lëvizje duke nisur pyetjen e personave që kanë dijeni lidhur me këtë kontratë. I pari që është marrë në pyetje ditën e sotme ka qenë doktori urolog Artan Koni. Ai është pjesë e grupit që dorëzoi padinë, ndërsa u thirr në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar si person që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Pas daljes nga SPAK-u, doktori Artan Koni u shpreh për mediat se sqaroi para prokurorit detajet dhe llogaritë me dyshimet se kontrata është korruptive.

"Unë sqarova detajet si është bërë kjo llogari. Nuk mund të them cdo detaj për shkak të hetimit, por ishte një deklaratë për të ndihmuar prokurorët si bëhet llogaritja në fushën e mjekësisë për sterilizimin. Kemi dyshime se është koncesion korruptiv, tani mbetet ta vlerësojë prokuroria. Baza kryesore është llogaria, kostot ekonomike, paguajmë 7 milionë euro në vit, për një set kosto na del 2.4 euro, ndërsa ne paguajmë 90 euro. Llogaritjen e dënimit nuk mund ta bëjmë ne, por prokuroria dhe të na thotë nëse ka dëm kundër shqiptarëve. Sot thashë detaje për atë kallëzim që kishim bërë dy javë më parë. Nuk kam prova të reja" tha ai.