Speciale 2018/Themelet e drejtësisë së re, burg bandave, pafajësi politikanëve. Vetting-u 'ha' shumë koka

31 Dhjetor 2018, 19:18

Vettingu, kryefjala e debatit publik prej 3 vitesh, do të niste për herë të parë ‘motorrët’ më 4 maj të 2018-s. Nuk munguan skeptikët, ata që e penguan, por as ata që e mbështetën këtë proces. Sipari i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të ngrihej nën vazhdën e kandidaturës së rrëzuar për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të gjyqtares kushtetuese Vitore Tusha. 80 subjekte kanë kaluar pas tetë muajve në sitën e Vettingut, me një mesatare 10 për cdo muaj, ku thuajse të kualifikuar dhe të mbetur në rrjetë rezultojnë 50 me 50. Pas themelit të parë që vendosi sistemi i ri i drejtësië me çeljen e Vettingut, 11  dhjetori i 2018-s ishte dita kur lindi zyrtarisht institucioni i dytë më i rëndëishëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 11 anëtarë. Një ditë më pas u pasua nga një institucion jo me më pak  vlerë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, po me 11 anëtarë.

Ndërkohë që muajt po shënonin gradualisht përmbylljen e vitit, Bashkim Dedja, i cili ishte konfirmuar në detyrë vetëm nga shkalla e parë e Vettingut, do të deklaronte se kalimi në Vetting ishte “si të kaloje varrin për së gjati”; deklaratë kjo e cila u shoqërua shumë shpejt nga rrëzimi i ëndrrës së tij për të vazhduar në sistemin e drejtësisë.

Dedja u shkarkua më 17 dhjetor të 2018-s nga Kolegji i Apelimit me një vendim me fuqi të menjëhershme, e kjo bëri që Kushtetuesja të mbetej vetëm me një anëtare; Vitore Tushën, me të cilën nisi edhe procesi i Vettingut.

Nën ethet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbetet ende kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili ndonëse e kaloi Vettingun në shkallën e saj të parë, po përballet me kërkesën e shkarkimit nga ana e Komisionerit Publik.