SPECIALE/ 2019-a e 'zgjimit' të tërmeteve që shuan jetë

31 Dhjetor 2019, 21:27 | Përditesimi i fundit: 2019-12-31 22:11:19

Tërmeti i 26 nëntorit me 51 viktima, nuk ishte i vetmi që tronditi Shqipërinë përgjatë 2019-ës, edhe pse dukshëm pasojat ishin shumë më të vogla, pa jetë të humbura, por me qindra objekte të dëmtuara. Lëkundje të forta të cilat populli shqiptar i kishte fshirë nga kujtesa prej vitit të largët 1979 me epiqendër Shkodrën, me magnitudë 7.25 i shkallës Rihter. Çka mbizotëroi në të gjitha tërmetet ishte dhimbja për jetët e humbura dhe për qindra të plagosurit e nëntorit, por edhe frika e paniku për t'u futur në shtëpi, në mesin e valëve të lëkundjeve të njëpasnjëshme që shoqëruan tërmetet e fuqishëm. Ende sot, temë e ditës janë këshillat e psikologëve se si të kalojmë ankthin e si t'i kthehemi normalitetit.

Tërmeti i parë i fuqishëm ishte ai i 1 qershorit në fshatin Floq, i shkallës 5.3 rihter që u pasua me të paktën 20 lëkundje të tjera, 6 prej të cilave të forta. Dëmet në banesa bënë që shumë qytetarë të lënë shtëpitë, ndërsa shteti u mobilizua për t'i sistemuar në çadra me premtimin për të ndërtuar gjithçka që u shkatërrua.

Ende pa marrë veten, shqiptarët u goditën nga një tjetër tërmet edhe më i fuqishëm, në orën 16:09 minuta të 21 shtatorit me magnitudë 5.8 Rihter dhe intensitet mbi 7.5 balle, 30 km në veri të Durrësit, në bregdet afër Kepit të Rodonit. I cilësuar si i forti i 20-30 viteve të fundit, tërmeti bëri që për herë të parë njerëzit të dilnin të tmerruar në rrugë.

Të vegjël e të mëdhenj kaluan netë të tëra duke fjetur në makinë nga frika për të qëndruar në shtëpi.

Dëmet e tërmetit të shtatorit prekën edhe shkollat çka solli mbylljen e tyre për një ditë për të bërë verifikimet për sigurinë e godinave. Kësaj fatkeqësie natyrore iu shtuan edhe shirat e rrëmbyeshëm që mes frikës nga dridhjet, lanë shumë shtëpi nën ujë.

563 banesa të dëmtuara, 28 pallate të plasaritur, 108 të lënduar,  ishin bilanc i këtij tërmeti që pasojat më të mëdha i la në Durrës e Tiranë. 25 lëkundje pasuan tërmetin e 21 shtatorit, ku më e forta ishte me magnitudë 5.2.

Në ndjeshmërinë e tërmetit të 21 shtatorit, shqiptarët dolën sërish në rrugë edhe më 22 shtator, jo nga lëkundjet e mbrëmjes që ishin me intensitet shumë më të ulët, por nga një "Fake Neës" në portale, se në orën 23:30 minuta Shqipëria do të goditej nga një tërmet i fuqishëm, lajm që u përcoll me shoqërimin e disa gazetarëve.

Korça goditet sërish edhe më 1 nëntor në orën 05:25 të mëngjesit nga tërmeti me magnitudë 5.2 ballë, epiqendër e të cilit ishte fshatin Miras, 11 km nga qyteti juglindor. Panorama ishte e njëjtë: Dëme të shumta materiale, e njerëz të mbetur pa çati mbi kokë.

Dy zonat më të prekura, Qafëzeza dhe Vidohova, shtëpitë e të cilëve ende nuk ishin riparuar ende nga tërmeti i shtatorit, u shkatërruan edhe më shumë.

Në orën 03:54 u bë zgjimi më i tmerrshëm i shqiptarëve, nën lëkundjet më të forta të ndjera prej '79-ën, nga tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter, me ndjeshmëri 8-9 ballë dhe që epiqendër pati detin Adriatik.

Mes ankthit për t'i shpëtuar lëkundjeve të forta, askush në Tiranë nuk do ta mendonte, se tërmeti do të shkaktonte plot 51 viktima në Durrës e Thumanë, aty ku goditja ishte më e fuqishme. Të gjitha mbushën rrugët, me fëmijë e të moshuar në panik, mes frikës që gjeti shumë pak të guxishëm për t'iu rikthyer banesave.

Nuk kaloi shumë dhe nisën raportimet e para nga gazetarët e Report Tv për jetët e para të humbura, derisa bilanci rritej frikshëm duke shkuar në 51 të vdekur nën rrënoja.

Me Thumanën e Durrësin që po rënkonte nën rrënojat e dhjetra shtëpive e pallateve të shembura, e gjitha bota u solidarizua për ti ardhur në ndihmë shqiptarëve, ku shpresa e parë u shfaq në një kolonë kamionësh me ndihma e mjete nga Kosova.

Të pamësuar me përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore, nga Italia, Zvicra, Franca, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Turqia, Greqia, Kroacia, e shtete të tjerë që u bënë bashkë për shqiptarët, erdhën ekipe të kërkim-shpëtimit që e lehtësuan sadopak barrën e kapërcimit të momentit më të vështirë: Nxjerrjen nga rrënojat të trupave të gjallë e të pajetë.

Në Thumanën e dërrmuar nga tërmeti mbijetoi vajti për 24 jetë të humbura. Familje të shuara, ku më e dhimbshmja ishte familja Cara. Për Albert Carën, të vetmin të mbijetuar së bashku me kushërirën e tij Linditën, tërmeti është tragjedia që nuk do të harrojnë kurrë. Nën rrënoja u shuan njerëzit e tyre të zemrës, 7 familjarë, mes të cilëve edhe çifti i sapofejuar, Alberti me Stelën nga Korça.

Më vajtuese se vdekja ishte agonia dhe pritja që dukej se nuk do të mbaronte kurrë për të mësuar fatin e familjarëve nën rrënoja në orët dhe ditët e gjata të operacioneve të kërkim shpëtimit. Lotët e kësaj gruaje, nuk shteruan teksa mësoi se vëllai i saj Pëllumb Greku, bashkëshortja Çelike dhe djali u nxorrën të pajetë. 

I njëjti bilanc tragjik ishte edhe në Durrës, 24 jetë të humbura, mes tyre familja e shuar me 8 anëtarë, më të vegjlit binjakët 2-vjeçarë. Sytë e gjithë shqiptarisë u kthyen nga vila e familjes Lala në zonën e ish-kënetës në Durrës, aty ku në kërkimet tre ditore nën rrënoja ende rrinte zgjuar shpresa për të mbijetuar. Një lavatriçe shpëtoi mrekullisht të vetmin që doli gjallë nga rrënojat, Ramë Lalën 19-vjeçar.

Me qeverinë e ngritur në këmbë për të përballuar pasojat e tërmetit tragjik, dhe të gjitha instancave të tjera të emergjencave, kryeministri Edi Rama mori lajmin tragjik të shuarjes së të fejuarës së djalit të tij, Gregut. Kristi Reçi vetëm 25-vjeç la në mes ëndrrën e saj për t'u bërë mjeke, ndërsa u nxorr e pajetë në krahët e babait të saj Eduart Reçit. Të përqafuar me njëri-tjetrin në momente përlotëse e mjaft të vështira edhe për ekipet e emergjencave, dolën nga rrënojat e pallatit 6 katësh që u shemb totalisht në Durrës, edhe nëna, Dolora me djalin e saj, Klausin 21-vjeçar.

Pallati që u kthye në dhimbjen e papërshkrueshme të vdekjes, mori edhe jetët e Dienës, vajzës së saj të vogël 8-vjeçare, Esielës dhe nënës së saj, Roza Meçja.

Kur është e shkruar thonë se nuk mund t'i shpëtosh vdekjes, dhe e tillë ishte historia e Kristjan Preçit 26-vjeçar. I sapo dalë nga burgu për një arrestim të padrejtë siç avokati shprehej, ai i shpëtoi me lëndime të vogla lëkundjes 6.4 ballë, por ndërroi jetë pasi makina që e shoqëronte për në spital doli nga rruga.

Preçi shënoi viktimë e parë në Lezhë, ndërsa jetë të humbura pati edhe në Kurbin e Tiranë. Xhesika Biqiku 20-vjeçare përmbylli bilancin tragjik, pasi ndërroi jetë në spital ditë pas tërmetit, nga një tullë e rënë në kokë nga lartësia e pallatit në zonën e Kombinatit.

Në mesin e tragjedisë pati edhe mrekulli. Klajdi Qato 25 vjeç, djali i pronarit të Hotelit Vila Palma në zonën e plazhit në Durrës, arriti të mbijetojë për më shumë se 21 orë nën rrënoja. Duartrokitje e lot gëzimi pati edhe mes forcave të kërkim shpëtimit të Kavajës me ato greke.

 “Të dyja automjetet e shërbimit zjarrfikës Kavajë bashkë me personelin, 13 punonjësit janë nisur pasi një automjet e lamë në stacion në gatishmëri për bashkinë e Kavajës, u nisëm drejt hotel Vila Palma. Aty vazhduam kërkim-shpëtimin për tre njerëz nga raportimi që kishim marrë, duke nxjerrë rreth orës 10:00 nënën e djalit dhe rreth orës 11 e pak minuta, fatkeqësisht gjyshin që doli pa jetë dhe në orën 12:00 kemi marrë shenja jetë të djalit që ishte gjallë nën rrënoja, katër kate sipër mbi djalin dhe fatmirësisht ishte gjallë. Futëm dhe qenin e FNSH-së për ta kërkuar që ne të pozicionoheshim për të bërë tunelin drejt djalit, dhe ai na tregoi që ishim në rrugën e duhur dhe nisëm operacionin bashkë me punonjësit  e shërbimit zjarrëfikës, bashkë me kolegët e të gjithë republikës së Shqipërisë, Beratit, Lushnjes, Skraparit, Poliçanit, Rrogozhinës dhe të Tiranës. Që të gjithë ishin në hotel Vila Palma dhe bëmë të mundur heqjen e maçerieve dhe inerteve që ndodheshin në atë hotel, dhe vazhduam kërkim-shpëtimit për djalin, Klajdin dmth derisa arritëm te tuneli gati 8 metra, arritëm te këmbët e Klajdit. Pasi arritëm aty,vazhduam pastaj i dhamë ujë për të pirë, i dhamë cokollatë që të merrte pak energji, bashkë me emergjencat civile, doktor Grei Malo të shërbimit vullnetar. Në ato momente rreth orës 18:00 vijnë forcat greke dhe ishim të detyruar me urdhër që të vazhdonin ata kërkim-shpëtimin deri në orën 01:00 që Klajdi doli gjallë, fatmirësisht me këmbët e veta”-u shpreh shefi i zjarrfikësve Kavajë, Endri Krashta

Shumë u kritikuan, e shumë thanë se nuk kishin pajisje, por heronjtë e vërtetë ishin ata. Zjarrfikës, efektivë policie, të ushtrisë e ekipeve të emergjencës, që lanë pas familjet e tyre e rrezikuan jetën për misionin fisnik që ata kanë zgjedhur: shpëtimin e jetëve.

Heronj të heshtur ishin dhe ekipet mjekësore që përballuan mbi 900 të plagosur, sakrificën e të cilëve e vlerësoi një gjest mëse fisnik, teksa zv.ministrja me aftësi të kufizuara e Shëndetësisë, Bardhylka Kospiri, u ngrit nga karroca dhe u përul para bluzave të bardha. 

Tragjedia e 26 nëntorit nxori në pah edhe abuzimet nga dora njerëzore në pangopësinë për ndërtime pa kriter, teksa shumë nga pallatet e objektet që u shembën kishin mangësi me projektet e fortësinë e godinave, dukshëm të lëna pas dore nga neglizhenca njerëzore.

Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë, Durrës dhe Laç deri më 31 mars, ndërsa 27 nëntori, u shpall ditë zie, ndërsa u anulua cdo aktivitet zyrtar për  ditën e shpalljes së pavarësisë. 29 nëntori i Çlirimit, u përkujtua thjesht me homazhe në Vlorë në nder të dëshmorëve. Mësimi në të gjitha shkollat në Shqipëri u anulua për më tepër se një javë. Të mbijetuarit u strehuan në hotele, e çadra ndërsa me kalimin e ditëve iu blenë shtëpi të reja familjarëve që humbën të afërmit nëpër rrënoja.

Psikiatria Arjana Rreli tregon më tepër për atë moment të vështirë psikologjik që kaluan shqiptarët pasojat e të cilëve vazhdojnë të ndihen ende.

“Pa diskutim që ngjarjet e katastrofës prekin edhe tërësinë edhe integritetin e sistemit nervor dhe aq më tepër të emocioneve tona. Kjo gjë u shpreh me ankthe që janë normale brenda një afati kohor të paracaktuar. 4 javë janë gjithmonë reagimet e stresit akut pas traumës, për të cilat askush nga ne nuk duhet të shqetësohet por nëse këto persistojnë për pjesën më pas këtyre katër javëve, duhet patjetër kërkuar ndihma e specialistit të shëndetit mendor qoft ky punonjës social, psikolog apo edhe mjek psikiatër. Gjithsesi kjo situatë deri diku është përballuar mirë duke konsideruar pritshmërinë tonë në shërbimin ambulator që do të kishte prurje ekstreme të kësaj gjendje të ankthit pas katastrofës. Nuk ndodhi, përkundrazi njerëzit u përpoqën ta vetë menaxhonin, kjo tregoi edhe njëherë që ne kemi një suport shumë të mirë brenda familjeve tona. Është gjithashtu dhe sistemi i informacionit që tashmë mire funksionon dhe çdokush nga ne është i update-uar me të, gjë që mendoj që ka ndikuar në këtë reduktim fluksi të madh që normalisht  pritet në të tilla raste. Grupmoshat më të prekura ishin ato të popullatës aktive e cila përbën moshën 20-45 vjeç. Tjetër grupmoshë ishte ajo e fëmijëve, megjithëse me këshillim u asistua mirë prej prindërve të cilët ne jemi dëshmitar të gjithë që u favorizuan me ditë pushimi për të qenë afër fëmijëve si subjekti më vulnerabël ndaj kësaj katastrofe. Kanë qenë gjithashtu edhe mosha e tretë, e cila e gjendur me mekanizma mbrojtës më të dobët si fizikë edhe psikologjikë, gjithashtu u ndikua emocionalisht nga pasojat e tërmetit. Jemi në një rikthim të normalitetit, gjë e cila unë gjej rastin të bëjë edhe njëherë thirrjen që sa më shpejtë ne ti kthehemi rutinës tonë, sa më mirë të vazhdojmë ti bëjmë gjërat dhe të realizojmë objektivat tona, aq më shumë bonuse pozitive mert sistemi jonë nervor për të reaguar më mirë ndaj të përditshmes sonë dhe për të qenë më efektivë”-u shpreh psikiatria Arjana Rreli

Por a duhet t'i trembemi lëkundjeve që ende nuk po reshtin së shkunduri Shqipërinë?

“Ky vit është karakterizuar nga tërmete të moderuar deri në tërmete të fortë siç ishte tërmeti i datës 26 nëntor. Tërmetet e Korçës kanë një natyrë krejt tjetër nga tërmetet e zonës së Durrësit për shkak se edhe mekanizmi i ndodhjes së tyre është i ndryshëm pra në aspektin tektonik. Zona në të cilën kanë ndodhur tërmetet e Korçës është një zonë që karakterizohet nga thyerje normale, pra zhvendosje gati vertikale dhe këto thyerje janë paralele dhe afër njëra tjetrës duke bërë që të kemi një seri të zgjatur duke filluar me tërmetin kryesor me magnitudë 5.3.  Dhe mandej vijoj me aktivizim e një thyerje tjetër më datë 1 nëntor që kishte një magnitudë të përafërt me tërmetin e 1 qershorit dhe do vazhdonte ta zgjaste në kohë këtë seri në zonën e Korçës. Ndërkohë në zonën e Durrësit kemi një aktivitet të spikatur që nga viti 2014 e në vazhdim ka pasur aktivitet në këtë zonë. Në datën 21 shtator ka pasur një tërmet me magnitudë 5.8 i cili vazhdoi për një kohë të konsiderueshme me serinë e vetë dhe shkoi drejt një qetësimi gradual. Ndërkohë në datë 26 nëntor, po në të njëjtin rajon kemi pasur një riaktivizim të zonës me disa le të themi mikro tërmete të vegjël, shumë pranë ndodhjes në kohë të tërmetit kryesor dhe mandej me tërmetin me mganitudë 6.4 sipas shkallës së momentit. Ky tërmet çliroi pothuajse 80% të energjisë të akumuluar në këtë rajon kontakti pllakash tektonike dhe ka vazhduar deri në momentin që po flasim me pasgoditjet e veta. Tërmetet nuk parashikohen kjo tashmë është një diçka që ne e kemi bërë prezente dhe ju mediatikisht e keni përmendur sa herë duke ju referuar sizmiologjisë dhe kjo është le të themi një sfidë për shkencën  e sizmiologjisë, që të arrijë të parashikojë le të themi tërmete në kohë të shkurtër, pra të përcaktojë vendndodhjen e tyre, magnitudën e tyre dhe kohëndodhjen e tyre. Pra kjo është sfida që ka sizmiologjia sot, ndërkohë në terma satistikor parashikime bëhen sepse katalogët dhe regjistrimet e këtyre tërmeteve mundësojnë që ne të përcaktojmë zonat në të cilat priten tërmetet e ardhshëm, potencialin e këtyre zonave pra sa është magnituda maksimale e pritshme në këto zona, dhe natyrisht dhe një lloj probabiliteti të përsëritjes së kohës së këtyre tërmeteve. Natyrisht një tërmet i këtyre përmasave e ka me 80% probabilitet kohën e vet të përsëritjes një herë në 90 vjet, kështu që zona në fjalë ka cliruar një energji shumë të madhe për tu akumuluar në një kohë shumë të shkurtër. Nuk mendoj se në këtë zonë do të ketë një tërmet të këtyre përmasave por do të vazhdojë aktivitetin për një kohë të gjatë për shkak se dhe energjia e cliruar nga tërmeti kryesor ka qenë e konsiderueshme dhe kjo energji ka disbalancuar, ka zhvendosur ekuilibrat tektonik të zones”-tha sizmiologu Edmond Dushi

Gazetarët e ReportTV dhe Shqiptarja.com në një transmetim maratonë, përcollën hap pas hapi për teleshikuesit dhe lexuesit, informacione në kohë reale e të sakta, ndërsa nuk mungoi zëri i qytetarëve në nevojë, të cilët përmes dritares sonë mediatike gjetën shpresën dhe zgjidhjen pas një tërmeti që veç dhimbjes për jetët e humbura, solli kaos e vështirësi për të kaluar në normalitet. Strehimi i çdo banori të mbetur në qiell të hapur ishte misioni i grupit të gazetarëve.

Teksa Shqipëria pritet të rindërtohet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ajo çka ka mbetur është hija e atyre godinave që dikur mbusheshin me zërat e familjarëve.

    No videos found.