SPECIALE/ ‘57 ngjarje të ndryshme kriminale që u pasuan me 65 viktima’ në 2020-tën

31 Dhjetor 2020, 18:41 | Përditesimi: 31 Dhjetor 2020, 18:41

TIRANW- Ishte ngjarja më e bujshme mes 57 të tillave në 2020. 25-vjeçari Klodian Rasha u vra në afërsi të banesës.

Orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit. I riu Klodian Rasha doli nga shtëpia për të blerë cigare në orë policore. Në afërsi të një trungu peme në rrugën “Dritan Hoxha” 25-vjeçari u pa nga patrulla e policisë. Dy efektivët e policisë së repartit “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj dhe Erion Gjore, i kërkuan të riut të ndalonte për t’a pyetur nëse kishte apo jo leje për të lëvizur në atë orar.

Pas vrasjes ata dëshmuan se Rasha nuk u ishte bindur dhe  vraponte. Në ndjekje e sipër, dy efektivët Hajdaraj dhe Gjore i kanë parë të riut një send në dorë, në dukje si armë. Disa sekonda më vonë Klodian Rasha  hyri në një rrugicë të ngushtë pranë  banesës së tij. Në drejtim të tij është qëlluar me dy plumba.

Efektivi Nevaldo Hajdaraj ishte personi që qëlloi Klodian Rasha në një moment që atij i është dukur se po i rrezikohej jeta. Njëri prej plumbave e kapi të riun pas shpine, dhe në pak sekonda është shtrirë në tokë.  Vijon të mbetet e paqartë nëse Klodian Rasha ka vdekur nëvend, apo gjatë rrugës për në Spitalin e Traumës. Në orën 03:26 të mëngjesit policia u ngut të njoftonte ngjarjen.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e punonjësit të policisë për të ndaluar, përsëri i riu nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje si armë.  Në asnjë moment, policia nuk përmend që të riut i ishte gjetur dhe sekuestruar me vete një armë. Në një njoftim të dytë, në orën 08:20 të mëngjesit policia njoftoi se kishte patur me të vërtetë një armë në vendin e ngjarjes. Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste Klodian Rashës, i mbetur viktimë në këtë ngjarje.

31 vjeçari Nevaldo Hajdaraj ishte shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, hetimet po kryheshin nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Tiranës.  Në një komunikim të orës 16:31 të asaj dite SHÇBA njoftoi arrestimin e efektivit të Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj. Sipas SHÇBA, Hajdarajt kishte kaluar kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

b.ha./Shqiptarja.com