Kritika franceze e ka quajtur një yll të ri të operës në ngjitje. Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu, u largua 7 vjet më parë drejt Parisit, duke marrë me vete shijen e sukseseve të para në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Para se të largohej nga Shqipëria, sopranoja e re Zhegu i la kujtim publikut shqiptar rolin e Adinës në “L’elisir d’amore”, një rol në “Carmina Burana”, rol tjetër në “Ëndrra e një nate vere”, që u pritën me entuziazëm nga publiku.
Pa këto duartrokitje, që bënin diferencën, Blerta Zhegu nuk do të kishte kërkuar aq shumë nga vetja, të synonte Parisin, pikërisht atë vend ku e nisi karrierën e saj, duke i dhuruar publikut repertorë interesantë.
Të tjera dyer iu hapën në Francë, ku Blerta Zhegu interpretoi në Operën e Marsejës, në Operën Grand të Avignon-it, duke u ndjerë e barabartë me shumë personalitete të botës operistike, si në projektet koncertore, por dhe në premierat e mëdha.
Për Blerta Zhegun, Franca është dera e hapur për t’u rritur si artiste.
Aty në kryeqytetin e kulturës botërore, ndërsa kënga e saj fluturon në qiell, ajo vet është me këmbë në tokë, duke punuar fort që t’i kthejë ëndrrat në realitet, herë në Itali e herë Francë, atje ku gara është edhe më e fortë, e sfidat e sopranove janë edhe më të mëdha.
Intervista
Le ta nisim nga fillimi këtë intervistë, si u ndodhët në Francë dhe pse shkuat atje dhe kur?
-Unë në Francë kam shkuar në 2013-n. Kam shkuar sepse u pranova në një stazh prestigjioz që quhet Centre National d’Artistes Lyriques me një bursë nga Ambasada Franceze në atë kohë, por ishte pak e rastësishme, sepse karriera ime ka nisur në Itali. Edhe specializimin e kam kryer aty në Bolzano në konservator dhe që në vitin e parë u mora si soliste në teatër për rolin e Lusit në “The telephone” në Teatrin e Bolzano-s. Ka qenë roli i parë në 2010-n, dhe kam qëndruar për tre vjet ku këndova në teatrot e Veronës, të Lucca-s, Livorno-s dhe pastaj u ktheva për një vit e gjysmë në Shqipëri. Në atë kohë isha aktive edhe në Teatrin Kombëtar të Operës ku ishte drejtues mjeshtri Zhani Ciko. Performova për disa shfaqje si “Carmina Burana”, me rolin e Adinës tek “Elisir d'amore”, etj, dhe pastaj u pranova tek ky stazh i ri në Francë, dhe kështu nisi një etapë e re në jetën time profesionale dhe njerëzore, ku interpretoja në Operën e Marsejës, Operën Grand të Avignon-it dhe Domaine D’O në Montpellier. Dhe tani jetoj në Paris prej katër vjetësh dhe kam qenë aktive si soliste ndërkohë.
Franca me një traditë kulturore, por edhe me një konkurrencë të ashpër artistike. Si je ndjerë në një moshë të re përballë garës, konkurrencës dhe shpirtit të fortë artistik që ekziston atje në Francë?
-Mendoj që jam ndjerë shumë mirë, pasi unë kërkoja pikërisht që të vija veten time në provë. Dhe qoftë edhe pikat e mia të dobëta t’i përforcoja, të zhvillohesha si artiste, si njeri, të pasuroja botëkuptimin tim, të pasuroja mjeshtërinë time artistike dhe u ndodha përballë një realiteti që m’i ofronte të gjitha këto. Natyrisht më është dashur të vihen çdo ditë në pikëpyetje për shumë gjëra për të lënë mënjanë disa vese dhe për t’u përmirësuar çdo ditë e më shumë. Kështu që mund të them që jam goxha e lumtur për rrugëtimin tim që kam bërë deri sot, natyrisht nuk ka mbaruar dhe është një rrugë gjatë dhe çdo gjë varet nga surprizat dhe vështirësitë që do vijnë. Por deri tani jam e lumtur.
Më befasoi shprehja juaj kur thatë që “hoqa dorë nga disa vese”, kur ju mendoj si një këngëtare klasike që është mësuar gjithmonë me disiplinën e punës, në studio, në piano,etj. Për çfarë vesesh e keni fjalën?
-Natyrisht e kisha më tepër tek ana artistike, domethënë çdo artist duke marrë një frazë të famshme të Mikelanxhelos kur e pyetën se “si e ke bërë Davidin?”, tha: “-Unë hoqa gjithmonë nga një gur çdo gjë që nuk ishte Davidi, derisa ngeli Davidi. Dhe në cdo kohë ne zbulojmë zërin tonë, trupin tonë. Dhe është një rrugë e vështirë dhe e panjohur dhe normalisht që herë pas here ka devijime ka pasiguri dhe ka tre hapa para tre hapa mbrapa. Dhe po flas pikërisht për këto momente ku duhet shumë informacion që udhëtimi të jetë sa më i rregullt dhe në këtë udhëtim ka disa momente që falë eksperiencave falë mjeshtërve që kanë krijuar një traditë, kuptojmë se diku kemi gabuar dhe korrigjohemi si çdo artist që bënë një jetë artistike shumë më të pasur. Dhe në këtë udhëtim ka disa moment ku falë disa rregullave, falë disa mjeshtërve, falë faktit që ka edhe një traditë natyrisht që artistët korrigjohen çdo ditë dhe mësojnë çdo ditë.
Ndërsa patët një dilemë për të lënë vendin tuaj,. Si ishte ikja, me çfarë mendimi dhe me çfarë perspektive?
-Mbarova studimet dhe nuk pata për momentin asnjë ofertë punë në Shqipëri, më bëri që të kem dëshirë të iki. Përveç kësaj duhet të përmend edhe faktin që për mua, për familjen time dhe mënyrën si jam edukuar unë, kultura është goxha e rëndësishme. Dhe kisha nevojë të jetoja, ndoshta të provoja jetesën time në nj vend ku kultura vlerësohet ndoshta më shuam se në Shqipëri. Gjithashtu mund të them edhe këtë tjetrën se megjithëse jetojmë në një vend të lirë demokratike ndjeva nevojën për një liri më të madhe femërore.
Po është e vërtetë, kështu ka ndodhur ne sopranon Ermonela Jaho, kështu ndodhur me Saimir Pirgun, kështu ka ndodhur me Tedi Papavramin. Ata ikin por ikin, por ata ikin e kanë sukses atje në bazën e një shkolle që e kanë marrë këtu në “shtëpinë e vogël”, Shqipërinë. Ke ti ndonjë vlerësim apo dedikim të veçantë për ata që të futën në rrugën e artit këtu në Shqipëri?
-Unë, natyrisht, e them gjithmonë që kam patur fatin të kem profesor Avni Mulën dhe Nina Mulën që ka ndjekur për shumë vite. Dhe Nina Mula ka nisur me mua hapat e para. Dhe mund të them se dashuria për operën vjen nga ata se unë si çdo fëmijë kur këndoja gjithë kohës, thosha që objektivi im kryesor është të dalë në festival dhe dashuria për operën mund të them që i dedikohet atyre si personalitete, përveç kësaj në Shqipëri kam patur fatin Përveç kësaj në Shqipëri pata fatin të njoh një profesor amerikan që ishte Nathaniel Brocki, me të cilin kam filluar të zhvillohem si artiste dhe pastaj kam pasur edhe njohje të tjera me fat që më kanë ndihmuar të zhvillohem dhe të përmirësohem si artiste.
Cili ka qenë mësimi më stimulues që të kanë dhënë Avni e Nina Mula, ato që i i kujton si të parët mësuesit e tu?
Më kujtohet një frazë që Nina Mula na thoshte që përsëritja është nëna e dijes. Në fakt profesioni ynë është një profesion që përtëritemi sërish e sërish, bëjmë të njëjtat vokaliza, të njëjta arie.
Më kujto gjërat e bukura që të kanë ndodhur me sukseset e tua të para në Francë, që t’i ndajmë edhe me publikun. ..
-Në Francë mund të them se kam bërë një jetë shumë të pasur, pasi rolet kryesore i kam bërë në Itali, si në Teatrin Filarmonik të Veronës me “Don Pascuale”-n dhe në Francë në salla mjaft prestigjioze kam bërë disa koncerte dhe ndër të më të rëndësishmet dhe atë të kohëve të fundit vlen të pamendet pjesëmarrja ime në “Musiques en fete” që është një koncert gala, ku interpretova para 9000 personave në publik, por dhe në të njëjtën kohë qindra e ndiqnin në TV France3 dhe Radion France Musique, pasi kjo shfaqje prestigjioze u transmetua drejtpërdrejt.
Sigurisht disa nga sukseset u përcollën edhe nga media jonë Report TV e “Shqiptarja.com”. Por ajo që doja të dija është sesa të ka kushtuar investimi për të bërë një karrierë në Francë. A e përballon ti me shpenzimet e tua, apo ka investuar familja apo njerëzit e tu të dashur që ti të ngjitesh lart e më lart në skenat franceze. Si funksionon rritja e një artisti në botën franceze?
-Unë mund të them që fatmirësisht unë punoj gjithmonë e më shumë. Dhe kjo më bën, që unë të fitoj jetën time gjithmonë e më shumë, pasi nuk është fare evident të përballohet jeta, siç e thatë. Përveç kësaj, natyrisht që iu detyrohem jashtë mase shumë prindërve të mi, njerëzve të ë dashur, të cilët më kanë ndihmuar në momente vështirësie. Sidomos në fillim ku ka qenë pjesa më e vështirë e karrierës, ndonjëherë kam pasur fatin të fitojë bursa për formacioneve të caktuara, për stazhin që kam bërë në Francë, si dhe gjatë studimeve në Itali jam mirënjohëse për Renato Bruson një nga baritonët më të mëdhenjtë e shekullit që më ka dhënë një bursë për një akademi verore ku ai jepte mësim. Dhe natyrisht që më është dashur si çdo shqiptar të punojë shumë punë si kameriere babisiter, dhe e them këtë me krenari, sepse më ka bërë më të fortë. Është një lloj aktiviteti që më ka dhënë forcë, më ka bërë të mësojë shumë anë të jetës, jo vetëm atë të privilegjuarën që kemi ne artistët. Dhe kam ndërruar shtëpi, shtete, qytete, kam qenë herë pas here në situata të vështira, herë pas here të privilegjuara. Por kjo është edhe e bukura e kësaj jete që kam zgjedhur dhe mbaj përgjegjësi për zgjedhjen time dhe ka ardhur koha që çdo gjë të stabilizohet, sepse për këtë kam punuar dhe sakrifikuar.
Prej shtatë vitesh ju jetoni në Francë dhe ëndrrat tuaja tashmë janë edhe ëndrra franceze. Cila është ëndrra juaj më e madhe?
-Për mua ëndrra më e madhe është edhe realizmi im si grua që të eci paralel me jetën profesionale. Natyrisht siç ka ndodhur edhe më sot uroj të debutojë rolet më të dashura. Kam plane më të afërta, koncerte simfonike, etj.